Zbulohet misteri i ariut që s’dinte not

01/04/2011 20:40

U zbulua misteri i mbytjes së papritur të një ariu polar në një kopësht zoologjik në Gjermani, mister që kishte çuditur shumë shikues dhe ekspertë, pasi arinjtë janë notarë të shkëlqyer.

Pas autopsisë që u krye mbi trupin e pajetë të gjigantit 4-vjeçar Knut, u zbulua se kishte qenë enjtja e trurit ajo që kishte shkaktuar vdekjen. I përballur me këtë infeksion prej kohësh, ariu duhet të kishte përjetuar dhimbje të jashtëzakonshme dhe çrregullime të sistemit nervor qëndror, duke bërë që të mos ishte në gjendje të notonte.

Knuti u mbyet përpara një turme të shokuar një javë më parë, ndërsa sasi të mëdha uji u gjetën në mushkëritë e tij, çka konfirmoi vdekjen nga mbytja. Për ekspertët, lajmi mbeti pashpjegim deri në këtë ekzaminimin e kufomës.

Knut ishte atraksioni kryesor i kopështit zoologjik të Berlinit, ndërsa gjatë jetës së tij të shkurtër kishte siguruar pesë milion euro fitime. Historia e tij bëri bujë që në lindje, pasi nëna, një ari cirku, kishte refuzuar t’a ushqente dhe rriste.

Nesër do të organizohet një protestët e mbrojtësve të kafshëve, që kërkojnë varrosjen e tij dhe jo mbajtjen në morg për analiza të tjera. Arinjë polarë jetojnë në natyrë deri 20 vjet, por edhe më shumë në kushtet e ruajtjes në rezervate.

Top Channel