Marrëveshja, aleatët firmosin, PS tërhiqet

01/04/2011 13:20

Aleatët e PD në tryezën e bisedimeve kanë firmosur marrëveshjen e propozuar nga PD për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Astrit Patozi nga PD, Luan Rama nga LSI, Arjan Madhi nga PR dhe Shpëtim Idrizi nga PDIU firmosën për partitë përkatëse.

Ndërsa PS është tërhequr me pretendimin se draft-marrëveshja nuk i jep zgjidhje në tërësi problemeve zgjedhore në themel të të cilës qendron transparenca.

“Nëse doni të nënshkruani një marrëveshje unilaterale, bëjeni. Ne nuk mund të bëhemi pjesë të një farse”, ka thënë përfaqësuesi i PS në tryezë, Damian Gjiknuri.

Megjithatë, shefi i grupit të demokratëve Astrit Patozi, në fjalën mbyllëse të tryezës i ka lënë dyert e hapura PS-së që t’i bashkohet kësaj nisme brenda afateve ligjore.

Ndërsa më herët, aleatët e PD shprehën gatishmërinë e tyre për të firmosur marrëveshjen politike, të propozuar nga vetë partia më e madhe e mazhorancës.

“Ne jemi të gatshëm ta pranojmë këtë marrëveshje në kuadër të interesave të Shqipërisë. Do të ishte e papranueshme që ne ta refuzonim atë”, deklaroi kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi.

“Deklaroj angazhimin e Partisë Republikane për të firmosur marrëveshjen, sepse ajo është një siguri më shumë lidhur me integritetin zgjedhor”, u shpreh pas tij përfaqësuesi i PR, Arjan Madhi.

Top Channel