Berisha: Rama, nuk ka alternativë

01/04/2011 15:45

Megjithëse fushata elektorale nuk është hapur ende zyrtarisht, kryeministri Sali Berisha ka nisur turin e inaugurimeve, duke u premtuar shqiptarëve për rritjen e investimeve dhe përmirësimin e jetës së tyre pavarësisht vendit ku ata banojnë.

Në fshatin piktoresk të Daiasit në komunën e Petrelës, ku me një investim prej 52 milionë lekë është ndërtuar një rrugë dhe një shkollë e re, kryeministri Berisha tha se qeveria ka financuar çdo projekt që çdo fshat i vendit të ketë infrastrukturën e qytetit.

Sipas kryeministrit Berisha, komuna e Petrelës, në periferi të Tiranës, ku gjatë 5 vjetëve janë shtruar 36 kilometra rrugë, është një nga shembujt, ku përballen alternativa e qeverisë në interes të qytetarit dhe ajo e opozitës në interes të kryetarit.

“Le t’i shtrojmë një pyetje shokut Edvin Rama, çfarë ofron ai? Cila është alternativa jote?. Alternativa e tij është: “fajin e ka Saliu”. Atëherë, unë do t’i them se “faji i Saliut” do të bëhet sa  mali i Dajtit, sepse unë do të ndërtoj rrugë, do të ndërtoj shkolla, do të subvencionoj ullishte, do të ndërtoj kanalizime. Këto, zotëria e tij i konsideron faje.”, është shprehur Berisha.

Duke sjellë në vëmendje slloganin demokrat të kësaj fushate elektorale, që u thotë qytetarëve “ju jeni të parët”, kryeministri Berisha premtoi se qeveria do të vazhdojë të shpenzojë me kujdes dhe në shërbim të jetës së qytetarëve buxhetin e shtetit.

“Ne jemi të vendosur që të gjitha taksat t’ua kthejmë në rrugë, t’i kthejmë në kanalizime, t’i kthejmë në shkolla, t’i kthejmë në ullishte, t’i kthejmë në qendra shëndetësore. Kjo është politika jonë dhe ne nuk lëvizim nga kjo politikë. Ndaj dhe unë dua t’ju ftoj që me gjakftohtësi të gjykoni dhe vlerësoni alternativat dhe ju ftoj të votoni atë, që punon për ju”, theksoi Berisha.

Top Channel