Tryeza politike, analistët: Në rrezik 8 Maji

31/03/2011 00:50

Situata politike në vendin tonë, tryeza e partive politike e mbajtur gjatë dy ditëve të fundit, rezultati i saj dhe zgjedhjet e 8 majit, ishin tematikat që analistët, politologët dhe gazetarët e ftuar në panelin e Top Show u përpoqën të shtjellojnë.

Kryeredaktori i gazetës Panorama, Robert Rakipllari foli për 2 kushtet e paraqitura nga opozita gjatë tryezës partiake të ditës së mërkurë, transparenca pas procesit zgjedhor dhe paisja për verifikimin e mjeteve të identifikimit të votuesve. Zoti Rakipllari u shpreh pesimist për mundësinë e arritjessë një kompromis paraelektoral mes forcave politike.

“Opozita u paraqit me 2 kushte, transparenca dhe paisja për verifikimin e kartave të identitetit që kërkohej vetëm në zonat kryesore urbane dhe jo në gjithë vendin, sic ishte parashtruar në fillim. Besoj që nuk ka për t’u arritur një kompromis për shkak se për Partinë Demokratike të duya këto propozime kërkojnë ndryshime në Kodin Zgjedhor që sipas saj nuk ndryshohet 1 muaj para zgjedhjeve. Mendoj që kërkesat e rrisin transparencën e zgjedhjeve. Cështja është se Partia Socialiste ka hmbur kohë 1 vit e gjysmë për ta kthyer presionin politik në produkt politik. Nuk është menduar për këtë gjë. Këto kërkesa synojnë edhe shtyrjen e zgjedhjeve”, tha Rakipllari.

Ndërkohë, për politologun Adri Nurellari, shtyrja e zgjedhjeve me 1 muaj nuk është një kosto më e madhe nga sa mund të jetë kontestimi i procesit, që sipas tij, do ta conte vendin në një qerthull politik. Ai solli si shembull kompromisin e vitit 2007 dhe shtyrjen e zgjedhjeve me 1 muaj në atë kohë.

“Edhe në momentin e fundit janë bërë kompromise. Në zgjedhjet e 2007 u bënë ndryshime, u shkelën afatet. Një proces zgjedhor i kontestueshëm do të na sillte në një qerthull të tillë sa shtyrja e zgjedhjeve për 1 muaj nuk do të kushtonte asgjë”, tha Nurellari.

Kryeredaktori i gazetës Shqip, Aleksandër Çipa foli për qendrimin e faktorit ndërkombëtar përballë politikës shqiptare. Çipa tha se zoti Fyle gjatë fjalës së tij në Tiranë ditën e mërkurë, paralajmëroi se vendi ynë kërcënohet nga izolimi.

“Fyle tha që Shqipëria kërcënohet të izolohet nga masat preventive që vijnë pas raportit të mundshëm jopozitiv të Brukselit që pritet të përpilohet. Këto janë apele që i bëhën politikës shqiptare nëse kriza zgjatet në kohë. ‘Shtatzania’ e prishjes së 8 majit është evidente që tani, palët janë në përballje të pasinqerta që tani mbi infrastrukturën dhe fushatën elektorale. Gjasat janë që më 9 maj do riciklojmë dhe do biem në atë që e quajme cinizmi elektoral”, tha Çipa.  

Top Channel