Një shqiptare 65-vjeçare “hi-tech”

31/03/2011 19:30

Nuk janë vetëm të rinjtë të apasionuarit pas teknologjisë së fundit, laptopave dhe “iphone”. Emisioni i pasdites në “Top Channel” solli historinë e 65-vjeçares Mira Pirdeni, e cila ka rrëzuar barrierat e moshës për t’u zhytur në një botë interaktive.

Aktivistja e njohur e moshës së tretë është shumë e dhënë pas “hi-tech” edhe pse ndoshta shumica e bashkëmoshatarëve të saj nuk e dinë se çfarë do të thotë kjo fjalë.

”Brezi im ka jetuar në një botë të mbyllur dhe ne kishim nevojë që të merrnim sa më shumë infomacion. Moshës së tretë i duhet më shumë se çdokujt teknologjia”, deklaroi Pirdeni.

Edhe pse ka pasur kompiuter ne shtëpi që në vitin 1993, ishte momenti i daljes në pension në moshën 55-vjecare që e futi në botën e teknologjisë.

”Më 15 shkurt të vitit 2001 dola në pension. Që të nesërmen u futa në kurs për anglisht dhe kompiuter. E kisha ndjerë mungesën e tyre.

Pata një pasion të jashtëzakonshëm. Ishte një nevojë e madhe për mua në punën për lëvizjen e të drejtave të grave”.

Megjithëse shkruan me 10 gishta dhe përdor pa problem shumë programe të kompiuerit, skanerin apo pajisje të tjera të sofistikuara, 65-vjeçarja kujton se fillimi nuk ka qenë aq i lehtë.

”Në fillim më qëllonte shpesh që të shtypja gabim një tast dhe më c’akordohej i gjithë kompiuteri. Nuk e kuptoja se çfarë bëja, po tani nuk më ndodh më”.

Ndryshe nga bashkëmoshatarët e saj që zakonisht i gjen duke luajtur domino apo thjesht duke u kujdesur për nipërit më të vegjël apo për pazarin, Mirën e gjen duke kërkuar të dhëna për teknologjinë më të fundit.

”Jam shumë e dhënë pas teknologjisë dhe kam infomacionet për të rejat më të fundit. Dua t’a ndryshoj laptopin, pasi dua të blej një me kamera, në mënyrë që të flas më lehtë në “Skype” me bashkëpunëtorët e tjerë nëpër botë”,  

Me siguri, nëse do të ishte pjesë e “show” të madh “100 milionë” në serinë e fundit, do t’a kishte gjetur pyetjen se sa giga është “hi-phone” i fundit. Prej kohësh, ajo mban një të tillë, por që së shpejti do t’a ndryshojë.

”Mendoj t’a ndryshoj këtë “i-phone” e fundit pasi ka dalë një tjetër me cilësi fotografie më të mirë. Sigurisht, shpresoj të m’a bëjnë dhuratë, pasi me pensionin tim nuk e përballoj dot”.

Janë të shumtë ata që habiten kur e shikojnë duke përdorur një telefon të fjalës së fundit të teknologjisë apo duke punuar me “wireless” në lokal. Mira, këtë ia dedikon mbështetjes së fëmijëve, të cilët jo vetëm e kanë ndihmuar financinarisht për t’i pasur këto pajisje, por edhe e mbajnë në korrent me informacionet e fundit.

”Informacionet i marr nga djali. Ai ka kuriozitet dhe informacion të madh në këtë fushë dhe dikur pyesja se kujt i ka ngjarë, por tani e di që më ka ngjarë mua”.

Pas një dekade në pension, 65-vjeçarja e ndien veten më të përditësuar me zhvillimet e fundit. Ajo është një gjyshe moderne, e cila d’i t’u mësojë nipërve kompiuterin apo mënyrën e përdorimit të pajisjeve të tjera të sofistikuara.

”Një ditë pa kompiuter dhe pa telefon për mua është një ditë boshe. Informacioni është pushtet, ndërsa komunikimi është gjithçka”, përfundoi Pirdeni.

E moshura, nga eksperienca e saj, është e bindur që çdokush, në çdo moment, po pati pasion dhe vullnet mund të mësojë gjithçka.

Mosha nuk është kurrë barrierë. Në sinkron të postulatit të Konicës: “Nuk ka të moshuar apo të rinj, ka njerëz që kanë lindur më herët dhe njerëz që kanë lindur më vonë”.

Top Channel