Test ndërkombëtar për të marrë kualifikimin

30/03/2011 12:05

Të gjithë ata që janë në proces masteri apo doktorature, para se të mbyllin ciklin e studimeve dhe të duan të mbyllin me sukses tezën e pasuniversitarit duhet të mbrojnë gjuhën e huaj.

Por këtë herë lipset që certifikimi i njohurive në gjuhën e huaj të jetë ndërkombëtar. Më i kërkuari dhe më i ndjekuri, ndër certifikimet ndërkombëtare do të jetë ekskluzivitet i Universitetit të Tiranës, ndërkohë që kriteret dhe kërkesat që duhet të përmbushin studentët do të bëhen publike menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes mes palëve.

Mbyllja e kontraktimit mes institucionit ndërkombëtar dhe Universitetit të Tiranës pritet të mbyllet brenda javës së prillit, javën e ardhshme.

Një lajm jo fort pozitiv vjen për ata që e kanë mbrojtur gjuhën e huaj, dhe dokumenti që e vërteton këtë ka qenë pjesë e dosjes së gjithsecilit për konkurrim.

Pavarësisht se ata e kanë mbyllur testin e mbrojtjes së gjuhës, duhet t’i rikthehen sërish mësimit dhe vlerësimit të njohurive në certifikimin ndërkombëtar, që do të vendoset shumë shpejt nga institucionet arsimore në vend, publik apo private qofshin ato.

Nga ana tjetër, deri tani mbrojtja e gjuhës së huaj është bërë nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja në Tiranë, pjesë e UT-së. Pagesa për dhënien e provimit të njohjes së gjuhës ka qenë 3 mijë lekë të reja.

Certifikimi ndërkombëtar pritet të ketë një çmim rreth 100 euro. Sakaq, metodologjia, ambientet kriteret e gjithçka tjetër të nevojshme për standardin ndërkombëtar do të bëhen publike brenda muajit prill nga zyrtarë të institucioneve të arsimit të lartë.

Top Channel