Në kërkim të plumbit që vrau Aleks Nikën

28/03/2011 12:25

Nuk dihet asgjë se pse nuk është administruar ende një provë shumë e rëndësishme që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes së 21 janarit.

Bëhet fjalë për plumbin që mjekët turq të një spitali në Ankara nxorën nga koka e të ndjerit Aleks Nika.

Edhe pse kjo provë përmendet shpesh nga organet e hetimit të ngjarjes së dhimbshme se pritet të mbërrijë nga dita në ditë në duart e ekspertëve, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Megjithatë burime nga prokuroria thonë se është komunikuar me drejtuesit e spitalit turk dhe është marrë nga atje përgjigjja se prova zotërohet prej tyre që në momentin e kryerjes së ndërhyrjes kirurgjikale me shpresën për ta shpëtuar nga vdekja 37-vjeçarin nga Lezha.

Ky deklarim duket se i qetëson organet kompetente në Tiranë, por askush nuk di të tregojë arsyet se pse Turqia nuk e ka sjellë në Shqipëri, apo dhe pse ekspertët tanë nuk kanë shkuar ta marrin në dorëzim këtë provë.

Aleks Nika u nis drejt Turqisë, një javë pas ngjarjes, më 29 janar, në përpjekje për një ndërhyrje më të specializuar, që do mund t’i shpëtonte jetën, por fatkeqësisht sipas mjekëve kjo ka qenë e pamundur.

Pjesëmarrja në demonstratën e 21 janarit i kushtoi jetën babait të dy vajzave, kur një plumb e shtriu përdhe.

Demonstruesit pranë tij i kanë lidhur kokën me shall, që të ndalonin gjakderdhjen dhe e kanë nisur me urgjencë për në spital, por gjendja e tij shëndetësore nuk u përmirësua.

Ai qëndroi për disa ditë në koma dhe mjekët menduan se do të ishte mirë për një kurim më të specializuar.

37-vjeçari u dërgua për kurim jashtë vendit, por edhe specialistët më të mirë të kirurgjisë nuk kanë mundur ta mbajnë në jetë.

Aleks Nika ka ndërruar jetë në Turqi. Vdekja e tij ka çuar në katër numrin e viktimave të vrarë gjatë demonstratës së 21 janarit, ndërkohë që deri më tani, ende nuk është gjetur dhe arrestuar asnjë përgjegjës.

Aleksi nga Grykë-Manatija e Lezhës njihet në këtë qytet prej vitesh, kur merrej me sportin e mundjes. Ai e ushtroi këtë sport për shumë vite, por pasi pa gjendjen e keqe ekonomike, pasi ishte i vetmi djalë me tre motra, u detyrua të emigronte në Itali.

Për disa vite punoi në Itali, ndërsa në vitin 2002, dërgoi para pranë familjes për të hapur një biznes të vogël. Familja hapi në emër të tij një rrobaqepësi pranë maternitetit në Lezhë.

Ndërsa në vitin 2006, ai u kthye në Shqipëri. Duke vendosur që të mos largohej më nga vendi i tij, ai mendoi të ndërtonte një jetë të re, duke u bërë edhe babai i dy vajzave.

Top Channel