Diploma e maturës, me elemente sigurie

28/03/2011 12:20

Fill pas konstatimit të abuzimeve që janë bërë vetëm gjatë këtij muaji me dëftesat e shkollës së mesme, ka reaguar Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e cila ka publikuar dje disa të dhëna mbi elementet e sigurisë së diplomës së maturës me të cilën do të pajisen të rinjtë këtë vit.

Ndonëse për vite me radhë numërohen një sërë rastesh kur është abuzuar me dhënien e dëftesave të gjimnazeve, duke i falsifikuar ato me qëllim përfitimin e parave nën dorë, parashikohet që një fenomen i tillë të mos ndodhë më në arsimin shqiptar, ose të paktën të minimizohet në maksimum.
Mësohet se diploma e pjekurisë për herë të parë do të jetë e një formati tjetër, e pajisur me elemente të forta sigurie.

Ndryshe nga përvojat e kaluara, ajo do të shtypet në shtypshkronja të veçanta. Të paktën kështu pohoi dje drejtori i arsimit parauniversitar, Fatmir Vejsiu, i cili theksoi se kjo iniciativë do t’i japë fund njëherë e mirë falsifikimit të diplomave të maturës për shkak të sigurisë që ofron, por edhe sepse në rast se do të evidentohen abuzime të tjera, shtypshkronja që e ka shtypur atë do të mbajë përgjegjësinë që i takon.

“Ky dokument do të lëshohet jo më nga shkolla, por nga drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Shtypet në shtypshkronja të letrave me vlerë, pra është një karton që në brendësi përmban logon e ministrisë, është diçka që e vendos ministri me stafin e tij për të ditur se kush është elementi i sigurisë në trupin e diplomës”, – sqaroi Vejsiu. Ndërkohë, mësohet se diplomës së re do t’i bashkëngjitet edhe një certifikatë që do të përmbajë listën përkatëse të notave të çdo maturanti, e cila edhe pse përbën risi në sistemin e Maturës Shtetërore, parashikohet që vitin e ardhshëm të pësojë disa ndryshime të tjera.

“Certifikata e notave ka si element sigurie vetëm ID-në, e nxënësit që përputhet me ID-në e tij në diplomë, pra në ID-në që merr nxënësi në provimet e Maturës Shtetërore do të jenë të pasqyruara notat e katër ose pesë viteve të shkollës së mesme. Kjo ka një kosto shumë më të lartë se ajo e dëftesës së pjekurisë”, – pohoi drejtori i arsimit parauniversitar.

Vendimi

Vitin e kaluar, MASH, nëpërmjet një udhëzimi sqaroi se në përfundim të procesit të Maturës Shtetërore nxënësi do të pajiset me diplomë të Maturës Shtetërore, jo më me dëftesë pjekurie, siç ka ndodhur gjatë përvojave të kaluara. “Provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje të Maturës Shtetërore zhvillohen në përfundim të vitit shkollor në një sesion të vetëm”, – thuhet në vendimin e ndryshuar. Arsimi i mesëm quhet i përfunduar kur nxënësi arrin rezultate kaluese në provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje.

Kjo do të thotë që të rinjtë duhet me patjetër t’u nënshtrohen provimeve të MSH-së, që të quhen më pas kalues të tre viteve të shkollës së mesme dhe të mund të pajisen me diplomë të maturës.

Rastet

Në kuadër të falsifikimit të dëftesave të gjimnazeve, vetëm gjatë muajit mars janë arrestuar 8 persona, një prej të cilëve ishte  mësues në shkollën e mesme të përgjithshme “Kostandin Kristoforidhi” në Tiranë, ndërsa 7 të tjerët persona të thjeshtë, banues të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë.

Arsimtari 57-vjeçar, kundrejt pagesave prej 200 mijë lekësh të reja, lëshonte një dëftesë pjekurie për persona që nuk kanë qenë të regjistruar kurrë më parë si nxënës apo studentë në arsimin e mesëm në Tiranë.

Ndërsa 7 personat e tjerë janë arrestuar dy ditë më parë në qytetin e Elbasanit, pasi kanë aplikuar për të qenë studentë pranë universitetit “Aleksandër Xhuvani” me dëftesa false.

Top Channel