Jordani, Kryeministri paralajmëron kaos

26/03/2011 09:15

Kryeministri i Jordanisë, Marouf al-Bakhit, paralajmëroi për mundësinë e përfshirjes së vendit nga kaosi, një ditë pasi protesta të fuqishme shkaktuan një të vdekur dhe disa të plagosur.

Al-Bakhit fajësoi për këto ngjarje islamistët, të cilët sipas tij po përpiqen të destabilizojnë monarkinë aleate me perëndimin.

”Ajo që ndodhi mund të jetë fillimi i një gjendje kaotike në këtë vend, situatë që do të ishte e papranueshme dhe me pasoja të paimagjinueshme”, deklaroi Kryeministri në një fjalim të mbajtur përpara kombit.

Duke iu adresuar islamistëve, të cilët sipas tij janë organizuar nga Egjipti, al-Bakhit shtoi: “Mjaft duke luajtur me zjarrin. Po ju pyes, ku dëshironi t’a çoni këtë vend?”.

Jordania ka njohur protesta të vazhdueshme sporadike në dy muajt e fundit, por duket se demonstruesit po organizohen gjithmonë e më shumë në lëvizjet e tyre kundër Mbretit Abdullah.

Ata kërkojnë kufizimin e pushtetit të Mbretit, fuqitë aktuale të të cilit shtrihen në të gjithë sistemin e vendosur në Jordani.

Top Channel