Heronjtë që “përqeshin” vdekjen

26/03/2011 13:40

Sytë e të gjithë Japonisë janë kthyer mbi 50 burra kurajozë që po luftojnë me vetmohim në centralin bërthamor të Fukushimës, ndonëse disa prej shokëve të tyre janë shtruar tashmë në spital prej rrezatimeve.

Ndërsa jeta në Japoni i është rikthyer me aq sa mundet normalitetit, frika e rrezatimeve u rikthye sot, pasi nivele alarmante u regjistruan në perimetrin përreth Fukushimës.

”50 heronjtë e Fukushimës” vazhdojnë të luftojnë për të stabilizuar reaktorin, edhe pse për shumë prej tyre vdekja do të jetë e sigurt kur kriza të përfundojë. Ata po rikthejnë në mendje “likuidatorët” e Çernobilit, heronjtë që dhanë jetën e tyre për të kufizuar dëmet e incidentit famëkeq bërthamor të ndodhur në Bashkimin Sovjetik, në vitin 1986.

Atëherë, mbi 200 burra luftuan ndaj vdekjes së sigurt, përfshi një grup prej dhjetë personash, që u hodh pa veshje mbrojtëse në një pishinë me ujë radioaktiv, duke bërë të mundur që të mbyllej një valvul, e cila do të bënte që i gjithë uji të derdhej në një lum që përshkronte mes për mes Kievin dhe disa qytete të tjera të rëndësishme.

Të 10 “likuidatorët” e kësaj ngjarje pësuan një vdekje të tmerrshme, vetëm disa orë pasi i shpëtuan jetën me miliona personave.

Në Japoni, veçanërisht prekëse kanë qenë video dhe mesazhet që disa prej 50 burrave i kanë dërguar familjeve. Shumë prej tyre i kanë dërguar lamtumirën e fundit fëmijëve dhe grave, duke i kërkuar t’i kuptojnë se detyra i thërret në këto orë të vështirë.

Pavarësisht kthesës negative të ditës së sotme, është meritë e këtyre burrave që situata në reaktor duket se është stabilizuar, ndërsa të paktën më e keqja duket se është shmangur.

50 heronjtë e Fukushimës mund të mos jetojnë aq gjatë sa për të parë kombin të “lulëzojë nga rënojat e tij”, siç premtoi Kryeministri Kan, por ata do të jetojnë përgjithmonë në kujtesën e Japonisë dhe historisë botërore.  

Top Channel