Amnistia prek edhe punonjësit e shtetit

26/03/2011 08:00

Përveç bizneseve dhe individëve të thjeshtë që punojnë në privat, amnistia fiskale e propozuar nga Ministria e Financave përfshin edhe punonjësit e administratës shtetërore.

Në debatin e fundit me grupet e interesit, ministri Bode e përjashtonte nga amnistia kategorinë e nëpunësve publikë dhe të zyrtarëve të lartë.

“Mendoj se për arsye politike dhe për t’i mbështetur publikisht zyrtarët që kanë pasur apo kanë detyrimin për të deklaruar pasurinë e tyre, të mos përfitojnë nga kjo amnisti. Propozimi ynë është kundër kësaj kategorie”, u shpreh ministri.

Një javë nga kjo deklaratë duket se ministria ka ndryshuar disi qëndrim, pasi pranoi të amnistonte vetëm një pjesë të punonjësve të administratës.

“Kjo nuk është e drejtë, nuk mund të ketë diferencime. Jo të gjithë kanë punuar tërë jetën në shtet apo kanë pasur gjithnjë funksione politike. Më parë, punonjësit apo zyrtarët kanë ushtruar funksione private. Mjafton të ketë masa të forta kontrolluese dhe nuk ka pse bëhen diferencime”, argumenton Artan Gjergji, drejtori i Fondacionit për Liri Ekonomike, një nga grupimet nismëtare të amnistisë fiskale.

Neni 6 i draft-ligjit përcakton kufirin se deri ku amnistia mund të përfshihet sa i takon nëpunësve. “Nga e drejta e amnistisë përjashtohen ata shtetas të cilët, në përputhje me legjislacionin e fushës, i nënshtrohen detyrimit për deklarimin vjetor të pasurisë pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive”, sqarohet në draft.

Pra, mjafton të mos jesh subjekt kontrolli i ILDKP-së, dhe çdo punonjës i administratës mund të përfitojë nga amnistia.

 

Top Channel