2010, BSH: -70 milionë euro nga emigrantët

26/03/2011 08:45

Emigrantët po sjellin gjithnjë e më pak para për familjet dhe të afërmit e tyre. Kthesa e uljes së të ardhurave, shkaktuar nga kriza e vitit 2009, ka vijuar edhe gjatë vitit 2010.

Sikurse raporton Banka e Shqipërisë, në raportin për vitin 2010, emigrantët kanë sjellë rreth 70 milionë euro më pak në vendin e tyre, ose gati 11 për qind në krahasim me vitin 2009.

Sipas BSH-së, vlera e remitancave regjistroi një nivel rreth 690 milionë euro, nga rreth 800 milionë euro që emigrantët dërgonin në Shqipëri tre vjet më parë. Sa i takon investimeve të huaja, shikohet një tendencë gjithnjë e më tepër rritëse.

Të dhënat e publikuara nga Banka tregojnë se investimet e huaja direkte për vitin e kaluar shënuan vlerën e 837 milionë eurove, ose 23% më shumë.

Top Channel