Parlamenti ri, arkitektët: Ka kosto të lartë

25/03/2011 00:50

Arkitektët vlerësuan projektin për ndërtimin e godinës së re të parlamentit shqiptar, e parashikuar të ngrihet në terrenin ku sot ndodhet piramida.

Duke folur në Top Show,  specialistët vlerësuan projektin fitues dhe serioziotetin e emrin që ka studio austriake në këtë fushë.

Arkitekti Artan Shkreli, pasi vlerësoi seriozitetin e studios dhe projektin e saj për parlamentin e ri shqiptar, tha se kostoja e tij është tepër e lartë për vendin tonë.  Shkreli vlerësoi se studio e përzgjedhur fituese ka një bilanc negativ mes konkurseve ku ka marrë pjesë dhe projekteve të ndërtuara për shkak të kostove të larta që kërkon arkitektura e tyre.

“Edhe kjo punë është e bërë shqiptarce, në përgatitje, në detyrën e përgatitjes së projektimit nuk u ftua studio që kishte fituar konkursin e parë. Studio austriake ka mbetur e mbërthyer në konstruktivizëm. Kanë qenë më shumë të famshëm para 10 vjetëve, kanë një bilanc negativ mes konkurseve që kanë marrë pjesë dhe projekteve të fituara për shkak të kostove të larta që ka arkitektura e tyre”, tha Shkreli.

Në të njëjtën linjë foli edhe arkitekti tjetër i ftuar në panel, Arben Bicoku. Ai tha se nuk është kundër ndërtimit të një godine të re për parlamentin shqiptar, por kundër vendit të përzgjedhur, pasi sipas tij piramida nuk është një godinë që duhet humbur, si  produkti më cilësor që prodhoi arkitektura e komunizmit.

Ndërkohë, për arkitektët, Arben Shtylla dhe Artan Raça piramida nuk paraqet asnjë vlerë artistike dhe arkitekturore ndaj edhe duhet prishur për të ngritur në  këtë zonë, godinën e parlamentit të ri.
 

Top Channel