Basha: Ja prioritetet e mia

25/03/2011 19:45

Në prezantimin e tij si kandidat i PD për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha u ka premtuar qytetarëve të pranishëm në pallatin e sportit “Asllan Rusi” se do të sjellë ndryshimin e shumëpritur.

Basha ka premtuar një qeverisje vendore ndryshe nga ajo e kryetarit aktual të bashkisë, që sipas tij ka lënë mënjanë këtë institucion për interesat e tij personale.

“Qytetarët presin më shumë sesa britma indinjate. Sot është koha për t’u ndarë nga këto shfaqje njëherë e mirë. Është koha t’i përvishemi punës për ta bërë Tiranën të parën, njerëzit e saj të parët”, është shprehur Basha.

Ish-ministri i Brendshëm dhe njëkohësisht një nga eksponentët kryesorë të PD ka premtuar se nëse zgjidhet kryetar bashkie do t’u japë zgjidhje problematikave të ndryshme që ka kryeqyteti.

“Cfarë mund të bëjë një kryebashkiak për punësimin dhe cmimet nëse nuk përballet me këtë problem? Asgjë. Dhe këtë e dëgjuam edhe mbrëmë nga kryetari aktual i bashkisë që tha se ka impenjime më të rëndësishme, pasi synon karriken e kryeministrit. Të gjithë bashkë, me dashuri për njëri-tjetrin, në këtë qytet do t’ia dalim të realizojmë ëndrrat dhe shpresat tona”, ka deklaruar Basha.

Më tej kandidati demokrat ka prezantuar edhe prioritetet e tij nëse do të zgjidhet qytetar i parë i kryeqytetit.

Mes tyre kanë spikatur punësimi dhe nxitja e zhvillimi i biznesit. Basha ka premtuar luftimin e konkurrencës së pandershme, krijimin e 30 mijë vendeve të punës në 2 vjet përmes zhvillimit dhe tërheqjes së biznesit, si dhe uljen e taksave për këtë të fundit.

Gjithashtu, një prioritet tjetër do të jetë arsimi, për të cilin Basha ka premtuar eleminimin e mësimit me dy turne, si dhe shtrirja e internetit për studentët dhe nxënësit jo vetëm në shkolla, por në të gjithë territorin e kryeqytetit.

Nuk kanë mbetur pas investimet në infrastrukturë, të cilat sipas Bashës do të jenë masive dhe do të zgjidhin problemet e trafikut në Tiranë.

Basha ka premtuar përfundimin e projektit për Unazën e Madhe dhe një tjetër projekt madhor, që sipas tij do të jetë cilësor dhe jo i kushtueshëm, tramvaji i Tiranës.

Më tej kandidati i PD ka treguar edhe se cilat do të jenë marrëdhëniet e tij me qeverinë qendrore nëse do të zgjidhet kryetar bashkie.

“Shumë pyesin se cfarë raporti do krijoj unë me qeverisjen qendrore. Kjo është përgjigjia: unë do punoj ngushtë me qeverinë qendrore përsa kohë na bashkon interesi për Tiranën. Por nuk do ngurroj kurrë të përballem me qeverisjen qendrore nëse interesi i Tiranës do të vihet në pikëpyetje. Por unë do të punoj me të për këtë qytet”, ka shtuar Basha.

Top Channel