Rama: Basha, ballafaqim me drejtësinë

24/03/2011 21:25

“Për mua dorëheqja e Bashës është një hap drejt përballjes së tij me drejtësinë për cështje që mbeten të hapura mes tij dhe popullit shqiptar”.

Ka qenë ky reagimi i parë i kryetarit të PS, Edi Rama ndaj dorëheqjes së ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, i cili më 8 maj do garojë për bashkinë e Tiranës.

Duke folur në emisionin “Top Story”, Rama ka renditur edhe cështjet për të cilat sipas tij Basha duhet të përballet me drejtësinë.

“Duke filluar nga grabitja kolosale e rrugës së kombit dhe duke vazhduar me tragjedinë e 21 janarit, ku ai është personalisht përgjegjës për vrasjen e 4 demonstruesve të pafajshëm dhe për plagosjen e dhjetra të tjerëve”, ka pohuar Rama.

“Ai është i vetmi ministër që pas vrasjes së qytetarëve të pafajshëm nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë duke dhënë dorëheqjen. Ai është zgjedhur nga mazhoranca për Tiranën, por ai është një person në kërkim nga populli shqiptar dhe ai opozitar”, është shprehur ai.

Kryetari i PS ka theksuar më tej, se emri i Lulzim Bashës figuron në raportet e BE si shëmbëlltyrë e pandëshkueshmërisë në vendin tonë.

Top Channel