Qeni që kushton një milion euro

24/03/2011 17:30

Një milioner kinez shpenzoi plot një milion euro për të blerë një qen 11 muajsh, i racës tibetiane “Mastif”, një kafshë e rritur prej mijëravjeçarësh në rrafshnaltën e Tibetit.

Prej kohësh, këta qen janë bërë të vështirë për t’u gjetur jashtë Tibetit dhe kanë filluar të fitojnë një status simbol në Kinë, si qentë që shoqërojnë vetëm njerëzit e pasur.

Qeni në fjalë është një këlysh prej 90 centimetrash dhe me një peshë prej pothuajse 100 kilogramësh. Nuk u bënë detaje të mëtejshme rreth blerjes, por e përditshmja britanike “The Telegraph” konfirmoi lajmin.

Megjithatë, për biznesmenin, ky nuk është një investim pa kthim, duke qenë se pritet që pronarë të tjerë qensh të paguajnë deri 10 mijë euro, për “një natë” të qenit tibetian me qenushet e tyre.

Raca e tij e pastër vlerësohet jashtëzakonisht shumë në Kinë dhe njerëzit janë të çmendur për të patur tek miqtë e tyre me katër këmbë pjesë të kodit gjenetik të kafshës së shumëvlerësuar.

Top Channel