Shqiptarët, pak të informuar për seksin

23/03/2011 17:00

Shqiptarët ende përdorin metodat tradicionale për parandalimin e shtatzanive të paplanifikuara, madje janë të pakët ata që kanë informacion për metoda të moderuara të kontracepsionit.

Edhe në qytete ku niveli i informimit është i lartë janë femrat ato që interesohen për të përodur kontraceptivë, ndërkohë që meshkujt përdorin vetëm kondome, dhe kjo jo me qëllim parandalimin e shtatzanisë, por më tepër për t’u mbrojtur nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Në zonat rurale, ndonëse informacioni mundësohet, mungojnë të interesuarit.

“Në zonat urbane përdorimi është i ulët, ndërsa në ato rurale është ende më i ulët. Metoda më e preferuar është ajo me injeksion. Pjesa tjetër për mbrojtjen ka të bëjë me arsimimin. Programi ynë ka si qëllim uljen e përdorimit të metodave tradicionale”, deklaron Arian Boci, drejtues i programit të USAID, “C-Change”.

Të rinjtë ngurrojnë të marrin informacion se si të mbrohen në një marrëdhënie seksuale. Ata mjaftohen me një bisedë të shkurtër me farmacistët.

Sipas sociologut Edmond Dragoti, rol të rëndësishëm për shpërndarjen e informacionit tek ciftet apo të rinjtë janë mediat.

“Ata që kanë marrë pjesë në seksionet e edukimit kanë 2.3 herë më shumë të ngjarë të identifikojnë metoda kontracepsioni, ata që kanë parë vetëm televizor e kanë më pak”, shpjegon Dragoti.

Në zonat rurale largësia e qendrave shëndetësore që ofrojnë informacion ka bërë që ajo pjesë e popullsisë që jeton në to të shkojë drejt abortit.

Top Channel