Qeveria, ok amnistisë fiskale

23/03/2011 11:45

Amnistia fiskale duket se do të jetë një nga kartat politike më të forta të së djathtës në prag të fushatës elektorale, pasi në mbledhjen e saj të fundit qeveria miratoi projektligjin të cilin deri pak kohë më parë e kishte artikuluar vetëm si mundësi.

“Përfituesit kryesorë janë qytetarët shqiptarë, që do kenë mundësi të legalizojnë të gjitha paratë e tyre, kudo që i kanë të vendosura, kundrejt një tarife prej 3 për qind. Të gjitha pronat e paregjistruara do të regjistrohen në vlerën e vërtetë, me një pagesë prej 1 për qind. Falen dhe të gjitha gjobat e papaguara dhe interesat”, ka deklaruar kryeministri Berisha.

Me amnistinë falen edhe bizneset e vogla të paregjistruara kundrejt tarifës 3%, falen sigurimet shoqërore, gjobat dhe intresat e papagauara deri në fund të dhjetorit 2010, si dhe kundrejt tarifës 6% falen edhe bzineset me bilance të parregullta.

Nga amnistia nuk përfitojnë pronat e përfituara nga krimi dhe as pronat e ish-zyrtarëve apo zyrtarëve aktualë. Megjithëse kryeministri pranoi se kjo amnsisti duhet të kishte ndodhur më parë, ajo hidhet në tryezën e Kuvendit për miratim pikërisht kur fushata elektorale duket se sapo ka filluar.

Berisha pretendon se në këtë draft është marrë në konsideratë mendimi i biznesit, por pranon se pa votën e opzitës kjo nismë do të rrëzohej.

“Ndaj dhe uroj që opozita ta votojë së bashku me ne. Në rast se opozita do të ndjekë praktikën e derisotme, atëherë zoti ministër i Financave, në Parlament do procedohet me faljen dhe secili do nxjerrë konkluzionin e vetë”, ka theksuar Berisha.

Nga falja përfitohet më pak, por qeveria është treguar e gatshme që ta realizojë edhe këtë opsion duke filluar me faljen e faturave të prapambetura të energjisë elektrike, nga e cila përfitojnë rreth 270 mijë familje dhe kur borxhi i prapambetur është rreth 400 milionë dollarë.

“Dhe që po të mesatarizohet, arrin vlerën rreth 1407 dollarë për familje”, ka saktësuar kryeministri Berisha.

Kërkesa për amnisti fiskale është shprehur në Shqipëri kohë më parë, me nismën e presidentit të atëhershëm socialist Rexhep Mejdani, por mjedisi politik i asaj kohe kundërshtoi dhe kjo cështje u harrua prej vitesh.

Top Channel