Qeveria bën gati supertenderin e naftës

22/03/2011 08:15

Një supertender pritet të zhvillohet në fillim të muajit maj për furnizimin me karburant të administratës publike.

Në “lojë” janë rreth 14 milionë dollarë, për disa nënprodukte nafte, ndërsa sasia është porositur nga Kryeministria, ministritë dhe institucionet e vartësisë, pra bëhet fjalë për qindra tonelata karburant, që do të shërbehen për të gjithë vitin.

Ky është një ndër tenderët me vlerën më të lartë të zhvilluar ndonjëherë për blerjen e naftës, pas atij të vitit të kaluar, për 10 milionë dollarë.

Sipas portalit “karburant.com”, tenderi do të zhvillohet nga Ministria e Brendshme, departamenti i prokurimeve të përqendruara dhe bëhet fjalë për sasi nafte të tipit lëndë djegëse për automjete-karburant Diesel (Gazoil), për vlerën rreth 10 milionë dollarë, kurse pjesa tjetër është lëndë djegëse për ngrohje industriale, benzinë për makina, naftë për kaldaja etj.

Duke e konvertuar me çmimin aktual, në dollar, rreth 1.5, vlerësohet një sasi për të paktën 10 milionë litra karburant, po të marrësh parasysh normën e fitimit jo më të lartë se 10 cent (10 lekë).

Theksojmë se tenderi nuk është shprehur me TVSH 20 për qind dhe po ta llogarisim bashkë me këtë vlerë, shifra totale e prokurimit shkon gati 17 milionë dollarë.

Top Channel