Kompanitë ajrore, lista e zezë dhe e bardhë

22/03/2011 17:35

Në vitin 2010, numri i të vdekurve si pasojë e aksidenteve ajrore pësoi rritje në krahasim me një vit më parë.

Megjithatë, midis 60 kompanive më të rëndësishme në botë, në 30 vitet e fundit, 7 prej tyre nuk kanë pësuar asnjë aksident fatal.

”Jacdec”, një agjensi gjermane që monitoron aksidentet ajrore, publikoi sot listën e kompanive më të sigurta dhe gjithashtu “listën e zezë” të kompanive ajrore.

Në krye të klasifikimit të kompanive më të sigurta, janë “Air Berlin”, “Finnair”, “TAP”, “Qantas”, “Air New Zeland”, “Cathay Pacific Airëays” dhe “All Nippon Airways”.

Ato nuk kanë shkaktuar vdekjen e asnjë pasagjeri për më shumë se 30 vjet, por disa prej tyre nuk kanë njohur kurrë në histori një aksident fatal.

Në anën tjetër, duhet një kurajo e vërtetë për t’u ngjitur në bordin e linjave si braziliania “TAM” apo “China Airlines”, që së bashku kanë shkaktuar mbi 1 000 viktima.

”TAM” ka pësuar gjashtë aksidente për një total prej 336 të vdekurish, ndërsa “China Airlines” ka vuajtur nëntë aksidente, për një total prej 775 viktimash.

Në “listën e zezë” edhe braziliania “Gol”, “Saudi Arabian Airlines”, “Garuda Indonesia” dhe “Korean Air”.

Midis kompanive që përdorin Rinasin, “Lufthansa” pozicionohet më mirë përsa i përket sigurisë, në vendin e 21-të në botë, ndërsa “Alitalia” është pranë të quajturit “kompani e rrezikshme”.

Top Channel