Gjirokastër, kapen 200 kg kokainë

22/03/2011 22:20

Të paktën 200 kg kokainë janë sekuestruar, në Gjirokastër gjatë një operacioni policor të urdhëruar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. (UPDATE)

Kjo është  sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në Shqipëri, dhe ndër më të mëdhatë e kohëve të fundit në Europë. Sasia e drogës, nëse do të shitej e tëra vlerësohet të arrinte në rreth 20 milionë dollarë.

Sipas informacionit zyrtar të Prokurorise së Përgjithshme, itinerari që ka ndjekur dërgesa ka qenë në nëntë shtete, Kolumbi- Spanjë- Belgjikë- Austri- Slloveni- Kroaci_-Serbi- Maqedoni- Shqipëri.

Informacioni për kokainën e bllokuar në Gjirokastër u ofrua për Shqipërinë, duke qenë se ishte destinacioni përfundimtar, nga shërbimet e huaja policore spanjolle e belge, të cilat janë vënë në dijeni për mallin.

Droga u bllokua në një kamion me targa maqedonase, në kontenierin e të cilit ka qenë e ngarkuar një sasi vaji palmash që përdoret kryesisht në prodhimin e embëlsirave. Brenda vajit është tretur kokaina, e cila më pas thahej në një punishte në Gjirokastër.

Prokuroria nuk bëri të ditur se pas ciklimit të kokainës, ku ishte destinacioni i shitjes së saj.

Sipas burimeve zyrtare të prokurorisë, zhvillimi i operacionit për bllokimin e lëndës narkotike është bërë në bazë të autorizimit të Prokurores së Përgjithshme, duke respektuar kërkesen e europianëve, që ndërhyrja të bëhej në momentin e dorëzimit të këtij malli.

Pritësi i mallit ishte një biznesmen nga Gjirokastra i cili u arrestua. Bashkë me të janë shoqëruar në Komisariatin e Gjirokastrës edhe dy shoferët maqedonas të maunes, si edhe disa shtetas shqiptarë, të cilët dyshohen të kenë lidhje me këtë trafik ndërkombëtar.

Top Channel