Energjitika, BB ndihmë për daljen nga ngërçi

22/03/2011 20:15

Ngërçi me konçesionet në energjetikë vë në lëvizje Bankën Botërore, më saktësisht krahun privat të saj, korporatën ndërkombëtare të financimit.

Vetë presidenti i korporatës, Lars Thunell i mbërritur në Tiranë zbulon në një intervistë për Top Channel se institucioni që ai drejton do të ndërhyjë dhe jo vetëm financiarisht.

“Ideja është që të bëjmë vetë një transaksion të parë. Të marrim një projekt të parë dhe të tregojmë shembullin se si mund të bëhet ashtu siç duhet. Pra veç financimeve të ofrojmë edhe konsulencën ligjore. Ne planifikojmë që për vitet e ardhshme të investojmë rreth 30 deri në 40 milionë dollarë në vit dhe sektori hidroenergjetik, pra energjia e rinovueshme do jetë një nga prioritetet”, është shprehur Thunell.

Korporata ndërkombëtare e financimit është një nga huadhënësit më të mëdhenj botëror, që krediton vetëm sektorin privat, por gjithmonë duke e vënë theksin tek ana sociale e investimeve, që kanë të bëjnë me punësimin, impaktin në rritjen ekonomike dhe përmirësimin e jetës për qytetarët.

“Aktualisht në Shqipëri ne kemi një portofol investimesh prej afro 120 milionë dollarë, që përfshijnë investime në sektorin financiar, një fabrikë çimentoje që pata rastin ta vizitoj sot dhe disa projekte të tjera në mikrofinancë. Veç financimeve jemi përqëndruar tashmë edhe në konsulencën ligjore, kryesisht për sektorin e energjisë së rinovueshme”, tha ai.

Korporata ndërkombëtare e financimeve u krijua në vitin 1950 për të ndihmuar sektorin privat në vendet në zhvillim me qëllim zbutjen e varfërisë.

Top Channel