Raporti i shqiptarëve me korrektesën

21/03/2011 19:30

Të qënit korrekt, shpesh herë shihet si diçka jashtë mode në ambientin shqiptar. Raporti midis korrektesës dhe shqiptarëve u vendos në fokusin e emisionit të pasdites në Top Channel.

”Ne shqiptarët nuk jemi fare korrektë. Tani përshembull jam shumë vonë për kurs”, apo “Gjithmonë më duhet të pres, ndërsa gratë të lënë gjithmonë të presësh”, ishin reagimet e njerëzve në rrugë.

Aleksandër Koçani, pedagog në Fakultetin e Shkencave Sociale, një nga studiuesit më të njohur te sistemit të vlerave të shoqërisë sone, thotë se korrektesia është një nga treguesit bazë të qytetarisë.  

”Korrektesa është një nga treguesit që flasin për një shoqëri të vlera post-materjaliste dhe qytetare. Shoqëria e sotme shqiptare është fshatareske, sepse ka ndodhur procesi i pashmangshëm i ardhjes së popullësisë rurale në qytet.

Këto lëvizje janë spontane dhe cënojnë deri diku vlerat qytetare, midis tyre edhe korrektesa. Do të duhet disa kohë që kjo vlerë të rikthehet atje ku ka qenë”, pretendon Koçani.

Ndërsa në planin personal, psikologia Albana Canollari thotë se edhe korrektesia bën pjesë në debatin e madh, nëse është një tipar i trashëguar apo i fituar.

”I lindur apo i krijuar është një debat i gjatë. Është pak nga të dyja, por mjedisi ndikon shumë në mënyrën e përshtatshmërisë.

Personalisht, jam rritur në një familje me baba ushtarak, i cili korrektësinë e kishte pjesë të profesionit dhe është e qartë që më ka trashëguar edhe një pjesë të këtyre geneve”, thotë Albana.

Për studiuesin Kocani, nëse duam të kuptojmë nëse një person është korrekt apo jo, duhet ta vëmë re në marrëdhëniet me status të barabartë.

”Kur je me status të barabartë shikohet nëse ajo ekziston si vlerë apo jo, pasi në institucione ose në marrëdhënie varësie si shef-vartës ti je i detyruar të jesh korrekt”.

Kultura institucionale gjithmonë tenton të injektojë korrektesën duke krijuar dhe mekanizma të cilat krijojnë barriera për të.

”Nëse shkojmë në një bankë, pothuajse gjithmonë oraret zbatohen me korrektësi dhe ato hapen e mbyllen atëherë kur është parashikuar që kjo të ndodhë. Kështu krijohet një kulturë institucionale”.

Por, jashtë institucioneve, në marrëdhëniet ndërpersonale, në vende të ndryshme të botës gjenden përceptime të ndryshme.

Përshembull, sipas një artikulli të BBC në lidhje me korrektesën, në Spanjë gjumi i pasdrekës përbën një problem të madh përsa i përket përpikshmërisë. 10 minutat që për një amerikan mund të quheshin minuta vonesë, atje perceptohen si kortezi. Kjo lloj “kortezie” ne Francë lejohet vetëm për femrat.

”Në vendet perëndimore, në përgjithësi njerëzit janë shumë korrekt. Vetëm në Francë ekziston një kod i pashkruar dhe i mrekullueshëm, ku femrat vijnë gjithmonë me pesë minuta vonesë. Pritja quhet respekt ndaj tyre, sepse ai që vjen i fundit është më i rëndësishmi”, thotë Koçani.

Sipas BBC-së, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Gjermani, në Japoni dhe Kinë, të jesh në kohë është rregull bazë.

Shtetet e Amerikës Latine, vendet e Mesdheut, të Lindjes së Mesme dhe ato të Afrikës së Veriut, renditen me pikë të ulta në studimet globale për korrektesinë.

Përshembull, në Egjipt, nëse je ftuar për një dasëm në orën nëntë të darkës, është e sigurt se banketi do të fillojë në mesnatë. Albana rikthehet sërish në Shqipëri.

”Ne e gjenerojmë mungesën e korrekteses, pasi duke qenë një popull mikpritës dhe të ndikuar nga marrëdhëniet e kolektivizmit kemi tendencën të tolerojmë njeri-tjetrin.

Kur presim, bisedën e fillojmë për atë çfarë jemi takuar dhe jo si një perendimor që në rastin më të parë do të ankohej drejtëpërdrejtë për mungesën e korrektësisë”, vazhdon psikologia Canollari.

Ndërkohë, shumë njerez argumentojnë se dhe futja në përdorim të gjerë të celularit e komplekson problemin e shpërkujdesjes për kohën.

Dikur, në kohët e “errta” të teknologjisë, nuk mund t’i kontaktoje njerëzit aq lehtë, kështu që përpjekjet për të qenë në kohë shumëfishoheshin. Por, jashtë çdo justifikimi, të qënit korrekt do të thotë të respektosh kohën e tjetrit.

”Një fjalë e urtë franceze thotë: çdo minutë që tjetri vonohet, ti mendon për të metat e tij”, përfundoi Koçani.

Top Channel