PD cel fushatën në Durrës

19/03/2011 01:20

Një rrugë e rikonstruktuar në Durrës, një investim me vlerë 120 milion lekë, përurohet nga kandidati i pashpallur për Bashkinë e Durrësit, ministri aktual i Kulturës, Ferdinand Xhaferraj.

Por, fjalën e rastit e mban kryeministri. Ai nuk e fsheh se po cel fushatën elektorale. Jo vetëm kaq, por zoti Berisha pohon për herë të parë edhe emrin e aleancës me të cilën Partia Demokratike dhe aletatet e saj do të paraqiten në zgjedhjet e 8 majit.

“Ne nisim fushatën e qytetarit, me qytetarin dhe për qytetarin dhe aleancën e kemi quajtur “Aleanca për Qytetarin”, sepse ne nuk mund të kemi interesa të tjera përveç interesave tuaja dhe të fëmijëve tuaj”, tha kryeministri Berisha.

Duke theksuar disa herë argumentin e vlerave për qytetarët, Kryeministri ironizon kundërshtarët e tij politikë, që sipas tij i konsiderojnë zgjedhjet lokale si një zgjedhje politike.

“Ata betohen se do ta bëjnë politike këtë betejë. Ne ju themi atyre se ne këtë betejë e kemi për vlerat, e kemi për interesat e qytetarëve shqiptare, e kemi  për fëmijët e tyre, por sa për politikë, dua t’i them  shokut Rama, prit 2013-n se do të dëshmojmë dhe njëherë se cili je” shtoi Berisha.

Në vijim kryeministri flet më hollësisht për premtimet e mbajtura të qeverisë. Cka lë të mendosh, se ky përurim nuk do të jetë i vetmi i fushatës që sapo ka nisur.

Në përfundim, kryeministri lëshohet drejt turmës, një sport i preferuar gjithmonë prej tij. Ky kontakt i afërt me turmën, e bën njësh me njerëzit e thjeshtë… për pak sekonda.

Top Channel