Anoreksia, fajin e kanë rrjetet sociale

19/03/2011 11:45

Modelet janë vënë vazhdimisht në qendër të sulmeve për dhënien e një imazhi të keq, nëpërmjet trupave të tyre anoreksikë.

Imazhet e një dobësie të tejskajshme kanë bërë që shumë të reja të vuajnë nga sëmundje si anoreksia dhe bulimia, ndërsa disa kanë gjetur vdekjen, në përpjekje për të krijuar linjat e besuara si perfekte.

Megjithatë, ndërsa moda është fajësuar prej vitesh si shkaku kryesor i këtyre shqetësimeve, stilistët kundërpërgjigjen dhe e gjejnë shkakun tek FB apo rrjetet e tjera të ngjashme shoqërore.

Sipas studimit të Universitetit të Haifës në Izrael, anoreksia lidhet ngushtë me rrjetet shoqërore, pasi është provuar se sa më shumë orë të kalosh në to, aq më pak ushqehesh.

Fiksimi pas FB dhe faqeve të tjera të ngjashme është bërë i tillë që shumë adoleshente injorojnë nevojat e tyre fiziologjike.

Për më tepër, këto lloj rrjetesh kanë krijuar një tjetër psikologji tek të rinjtë, argumentonte studimi. Falë mundësisë për të publikuar foto personale, adoleshentet e ndiejnë veten në “minibotën” si në një pasarelë mode.

Si rrjedhojë, përpjekja për t’i ngjasuar modeleve të vërteta të modës është bërë gjithmonë e më e madhe. Të rejat, me sa duket harrojnë faktin që në fotografitë e modeleve përdoret gjerësisht photoshop-i.

Top Channel