Në kërkim të trafikantit turk

18/03/2011 19:35

Referuar adresës së dhënë në vendimin e Gjykatës së Apelit, TCH ka shkuar në banesën e shtetasit turk, Abdul Selam Turgut në katin e tetë i cili ndodhet në arrest shtëpiak, por nuk u konstatua që ai të kontrollohej apo të ruhej nga policia.

Në adresën zyrtare e të cunguar që Turgut i ka dhënë Gjykatës së Apelit, por edhe sipas asaj që TCH siguroi edhe nga burime jo zyrtare, rezulton se jetonin disa familje të tjera turke, por që nuk pati asnjë konfirmim nëse shtetasi turk banonte aty.

Megjithatë TCH trokiti në banesën ku Turgut duhej të jetonte 40 ditë me arrest shtëpiak, por derën e tij nuk na i hapi askush. Aq më tepër që aty të kishte polici.

Policia e kontaktuar nga Top Channel pohoi se nuk ka detyrim të ruajë shtetasin turk dhe se për këtë gjë nuk e ka njoftuar ndonjë nga institucionet përkatëse.

Megjithatë Policia e Tiranës njofton jo zyrtarisht se po kërkon referuar adresës gjysmake të dhënë në Gjykatën e Apelit, që edhe ajo të saktësojë adresën e saktë të shtetasit turk pasi në këtë zonë, pra në Kthesën e Kamzës në Tiranë, ka mjaft apartamente tetë katëshe dhe asaj i duhet t’i kontrollojë me radhë.

Më herët gjyqtari Kreshnik Omari kishte shpallur këtë vendim ku miratonte kërkesën e Prokurorisë për arrest të përkohshëm me afat 40 ditë, derisa gjermanët të sillnin me anë të letërporosisë dokumentacionin se për çfarë e kërkojnë turkun 44 vjeçar.

Por disa ditë më parë ky vendim u hodh poshtë nga apeli duke i dhënë lirinë Abdulselam Turgut dhe duke i caktuar atij nga arresti në burg në arrest shtëpiak për 40 ditë, edhe pse ai është i kërkuar nga pesë shtete për trafik ndërkombëtar droge.

Gjykata e Apelit arsyeton në këtë vendim të siguruar nga TCH se arrestimi i Abdulselman Turgut u krye pasi në sistemin e INTERPOL-it ai rezultonte me statusin “wanted purpose”, i kërkuar për qëllime arrestimi.

Pasi INTERPOL Tirana ka komunikuar me email me Wisbaden në Gjermani është shpjeguar se turku ishte në kërkim ndërkombëtar me urdhërin europian të arrestit lëshuar në 21 shtator 2009 nën akuzën e trafikimit të heroinës dhe opiumit.

Sipas kësaj gjykate, nga ana e Prokurorisë kemi shkelje të ligjit pasi në rastin konkret nuk kemi kërkesë të shtetit të huaj të paraqitur dhe kjo kërkesë t’i jetë drejtuar Ministrisë së Drejtësisë.

Gjykata vijon duke thënë se pasi kjo kërkesë të mbërrijë gjykata mund të vendoste një masë shtrënguese siç është arresti me burg. Apeli vijon duke thënë se nuk ka një kërkesë me shkrim nga Ministria e Drejtësisë gjermane drejtuar Ministrisë së Drejtësisë shqiptare, pra, sipas gjykatës, nuk ka një komunikim diplomatik, por vetëm materiale nga komunikimi me email.

Gjykata thotë se urdhëri gjerman përcakton “urdhër europian i arrestit”, çka do të thotë se fushën e zbatimit e ka brenda BE-së dhe jo tek vendet jashtë këtij territori.

Si argument tjetër për t’i thënë jo Prokurorisë gjykata vijon se  Abdulselam Turgut referuar të dhënave nga një spital në Turqi ai vuan nga  probleme shëndetësore të zemrës.

E për këtë thotë gjykata, atij duhet t’i ndryshohet masa nga arrest me burg në arrest shtepiak për 40 ditë në banesën e marrë nga Abdulselman Turgut e cila rezulton të jetë marrë me qera nga ana e të shumëkërkuarit.

Top Channel