Tahiri: Opozita lufton për standartet

17/03/2011 22:00

Deputeti i PS, Sajmir Tahiri ka deklaruar se dyshimet e opinionit publik mbi pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhjet lokale kanë ardhur për shkak të betejës së saj për standartet zgjedhore.

“PS nuk e ka vënë kurrë në dyshim aftësinë për t’i dalë përballë kësaj qeverie në cdo raund elektoral. Beteja e PS deri më sot, që nga kapitulli i pambyllur i 28 qershorit, nuk ka qenë mbledhja e votave, që ne i kemi afirmuar. Beteja e PS ka të bëjë me standartet zgjedhore, që nuk garantohen nga entitete të tilla. Kemi kërkuar përmbushjen e standarteve zgjedhore”, ka pohuar Tahiri.

Sipas tij, qytetarët shqiptarë nuk mund të ndihen aq komodë për të shprehur votën e tyre, pasi kemi një qeveri që vjedh votën dhe vret për të vazhduar për të vjedhur pasurinë.

“Garantimi i standarteve zgjedhore sot cënohet nga vetë qeveria. Edhe tani, në zyrat e Ministrisë së Brendshme ka njerëz që punojnë me lista, që nuk janë të sakta”, ka pohuar Tahiri.

Deputeti socialist ka treguar edhe disa dokumente, që faktojnë sipas tij duplikimin e emrave të individëve të ndryshëm, të cilët sipas tij mund të votojnë më shumë se një herë gjatë procesit zgjedhor.

“Unë zotëroj dokumente me dublime të pastra dhe dublime të fshehta, që konsiderohen ato zëra në listën zgjedhore që bëjnë fjalë për të njëjtët individë që në listë figurojnë me gabime në shkronja. Ne kemi evidentuar 26 mijë dublime në listat e shpallura për këto zgjedhje, të pastra dhe të fshehta. Bëhet fjalë për individë që mund të votojnë dy herë ose më shumë”, është shprehur Tahiri, i cili ka akuzuar ministrin e Brendshëm për manipulimin e listave.

“PS ka kërkuar nga gjendja civile prezantimin e listave. Janë dhënë listat paraprake, por përsa kohë punohet ende mbi to, ne kemi kërkuar apdejtimin, që është një e drejtë minimale. Por Lulzim Basha na i ka refuzuar”, ka nënvizuar ai.

Aspekt tjetër për të cilin PS është e pakënaqur, është sipas Tahirit, KQZ që vepron nën urdhërat e kryeministrit Berisha.

“Aspekti tjetër është KQZ, që refuzoi kërkesën e opozitës për të hapur kutitë dhe kryetari i saj që merrte urdhëra nga Berisha. KQZ është e cënuar në legjitimitetin e saj. Për këtë arsye ne kemi kërkuar legjitimizimin e KQZ, e cila në këtë moment po hap materialet zgjedhore dhe po i fotokopion ato, në mënyrë që PD t’i përdorë për interesa politike në zgjedhjet e ardhshme”, ka shtuar Tahiri.

Top Channel