Olldashi: Po shkojmë komodë në zgjedhje

17/03/2011 21:35

Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi ka deklaruar se mazhoranca hyn e qetë dhe e sigurtë në zgjedhjet lokale të tetë majit.

Duke folur në emisionin “Top Story”, Olldashi është shprehur se faktori kryesor që ndikon në “komoditetin” e mazhorancës është rënia e popullaritetit të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Edi Rama.

“Futemi shumë komodë sepse kemi një kandidat besimplotë për të gjitha partitë e koalicionit, që ka gjithë potencialin për të ofruar një qeverisje të mirë. Gjithashtu, qeverisja vjen me rezultate të mira, me mbajtjen e premtimeve të bëra në zgjedhjet e 28 qershorit. Faktori i tretë është se disa ekspertë kanë parë se ne ndërtuam një koalicion më të madh se PS. Ndërkohë, kemi edhe komoditetin që mandati i bashkisë ka ardhur në rënie, sepse Edi Rama është shproporcionuar duke qenë kreu i PS dhe jo i bashkisë”, ka deklaruar Olldashi.

Deputeti i PD ka pranuar se në mandatin e parë Rama ka arritur sukses, por ky sukses sipas tij ka rënë për shkak të degradimit të qeverisjes vendore prej tij.

“Në mandatin e parë ai pati suksese në qeverisjen e Tiranës, ai la disa gjurmë. Por, nga mandati i parë tek i dyti kemi pasur një rënie dhe nga i dyti tek i treti një rënie dramatike. Kryesimi i një partie të madhe bën që të mos shihet fare drejtimi i bashkisë, që drejtohet nga nënkryetarët”, ka pohuar Olldashi.

Më tej ai i ka cilësuar si një spekulim akuzat e PS për vjedhjen e zgjedhjeve të 28 qershorit, për manipulimet që sipas saj po bën KQZ, si dhe për listat që mbajnë emra të duplikuar.

“Akuzat e PS janë një spekulim. Raporti i OSBE për vitin 2009 thotë se kanë qenë më të mirat që janë bërë dhe që kanë përmbushur pothuajse të gjitha standartet. Kemi pasur mbi 20 mijë komisionerë socialistë, të cilët nuk kanë bërë asnjë vërejtje për procesin. Gjithashtu, deklarata e zotit Rama të nesërmen ishte: ‘këto janë zgjedhjet më të mira’. Pastaj u përkeqësua duke thënë se kishte parregullësi të vogla dhe pastaj dolën më të këqijat”, ka nënvizuar Olldashi.

“Sa për KQZ-në, komisionerët dhe kryetari u zgjodhën me konsensus. Ne i dorëzuam 3 emra PS-së dhe emri që ajo zgjodhi ishte Arben Ristani, që është zgjedhur po aq sa PD nga PS. Vlerësimi i OSBE-së nuk ka asnjë vlerësim negativ mbi KQZ. Mbi c’bazë i kërkon PS ndryshimet? PS ngre problemin e listave. Ka duplikime, por duhet të themi se listat hartohen nga bashkia dhe jo nga gjendja civile. Bashkitë i qeveris PS. Gjithashtu, janë të gjithë mekanizmat ligjorë që duplikimet të korrigjohen”, ka shtuar Olldashi.

Top Channel