Ministri Naço përshëndet hetimet për ‘vergine’

17/03/2011 00:20

Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço përshëndeti nisjen e hetimeve nga ana e prokurorisë për skandalin me naftën ‘Vergine’.

Zoti Naço i ftuar në Top Show foli për problemet që shqetësojnë ekonominë shqiptare, marrë shkas edhe nga zbardhja e kontrabandës me naftën ‘vergine’ edhe për fenomenin në fjalë.

“Inkurajoj prokurorinë të vazhdojë punën e bërë dhe ta finalizojë me përfundimin që do japë gjykata. Nuk mendoj se nuk ka patur dhe nuk do ketë edhe nesër kontrabandë por mendoj që mazhoranca i ka bërë veprimet e duhura për ndaljen e kontrabandës. Gjithësecili duhet të bëjë denoncimin e kontrabandës pasi fenomeni nuk mund të luftohet vetëm nga një person”, tha Naço.

Ministri tha se tregu i naftës në Shqipëri nuk është monopol, përkundër akuzave, të cilat ai i konsideroi politike,pasi në vend operojnë mbi 100 shpërndarës të karburantit.

Përballë analistëve ekonomikë, Naço foli edhe për privatizimet e ndërtesave publike. Analistët e ftuar në studio kriktikuan mënyrën e zgjedhur e rrugën e shpejtë me të cilin po bëhen këto privatizime, pa i shërbyer interesit publik. Por për ministrin Naço privatizimet janë kryer në interes të publikut. Ai solli si shembuj shitjet e disa reparteve ushtarake, si dhe e shtëpisë së ushtarakëve nëpër rrethe e cila i është kaluar bashkive e komunave.

Top Channel