Fieraku me tumor shërohet nga akrepi

17/03/2011 20:10

Një 90-vjeçar myzeqar vazhdon të jetojë edhe pse sipas mjekëve duhet të kishte ndërruar jetë disa muaj më parë, pasi ai vendosi të kuronte vetë një tumor të avancuar me një mjekim popullor.

Historia e rrallë e Halit Brahos, banor i fshatit të Roskovecit, u soll në ekranin e Top Channel gjatë emisionit të pasdites.

”Kur kam qenë i ri kam bërë çdo lloj punësh. Kam punuar 31 vjet në kooperativë, kam bërë hamallin, punë krahu në port dhe kam kullotur bagëtitë”, nis të rrëfejë historinë e jetës së tij i moshuari.

Pak kohë pas vdekjes së bashkëshortes së tij, jeta e Brahos morri një të tatëpjetë. “Unë kisha patur edhe më parë probleme me prostatin dhe në moshën time kjo nuk është e pazakontë.

Megjithatë, pas vdekjes së gruas problemet u rënduan shumë dhe u bllokova komplet. Shkova dhe bëra një operacion në spitalin e Fierit, ku qëndrova 17 ditë. Kur më nxorrën, ende kisha probleme.

Pas dy ditësh në shtëpi më rifilluan krizat. Plaga nuk ishte mbyllur dhe gjithashtu isha infektuar. Megjithatë, kur i njëjti mjek më vizitoi sërish, pa se kisha probleme në mushkëri dhe më këshilloi që të shkoja në Tiranë”.

Një analizë më e specializuar në Tiranë tregoi se Braho vuante nga një formë e avancuar e kancerit në prostatë, i cili kishte lëshuar metastaza edhe në mushkëri.

Mjekët i bënë të qartë të birit që 90-vjeçari mund të jetonte e shumta edhe 4 muaj, ndërsa i dhanë si të vetmen kurë morfinën, për të shëruar dhembjet e papërballueshme.

”Fillova të pija morfinë gjithmonë e më shpesh, ndërsa ditë pas dite dhembjet vetëm sa shtoheshin. E gjithë kjo u bë e padurueshme, ndihesha shumë keq dhe e dija që po vdisja”, dëshmon Haliti.

”Arrita deri atje sa të pija tetë morfina në ditë që të qetësohesha, aq më ikte fare shikimi, por nuk më bënin asnjë derman. Kështu që mendova të vrisja veten.

Djali mban një helm për mistrin në shtëpi. Unë shkova, e morra, e piva të gjithë, por prapë nuk më bëri efekt dhe nuk vdiqa”.

Tentativa e 90-vjeçarit për t’u vetvrarë alarmoi të gjithë të afërmit, të cilët e vendosën nën mbikqyrje të vazhdueshme. Në këtë situatë të dëshpëruar, Brahos iu kujtua një mjekim i vjetër popullor, për të cilin kishte dëgjuar të flitej nga stërgjyshërit.

”Në ato kohë të vjetëra, përdorin si ilaç helmin e akrepit. Në disa raste, kjo kurë është e rrezikshme dhe ka sjellë vdekjen e atyre që e kanë përdorur, sepse janë helmuar, por unë nuk kisha çfarë të humbja.

Gjeta një akrep dhe e futa në një shishe të boshatisur. Atë e mbusha pastaj me vaj ulliri. Është e rëndësishme që akrepi të mos vritet, por të futet i gjallë në shishe.

Normalisht, përpara se kura të përdoret duhet të kalojnë 40 ditë, por unë e përdora pas një jave. Morra një pendë dhe leva trupin, sidomos pjesët ku kisha më shumë dhembje”, tregon Braho.

Rezultati ishte çudibërës. Që të nesërmen e asaj dite, i moshuari hoqi dorë nga morfinat, të cilat u bënë të panevojshme, pasi dhembjet u ndërprenë.

Që prej asaj dite kanë kaluar tetë muaj, katër më shumë nga sa kishin parashikuar mjekët se Haliti mund të jetonte maksimalisht.

Edhe më e çuditshme, ndërsa ditët kalojnë, ai ndihet gjithmonë e më i fuqishëm, oreksi i është rikthyer dhe përmirësimet janë të dukshme.

Djali i tij thotë se “ndonjëherë Zoti bën mrekullira”, por me sa duket, pas këtij shërimi nuk qëndron dora hyjnore, por një mjekim i thjeshtë popullor i përdorur në kohët e vjetëra.

Në të vërtetë, kjo praktikë e helmit të akrepit nuk është e njohur vetëm në Shqipëri. Prej vitit 1995, Kuba e njeh si kurë zyrtare helmin e akrepit blu ndaj çdo lloj kanceri dhe rreth 80 000 njerëz pretendojnë se janë shëruar pa nevojën e operacioneve apo mjekimeve të tjera.

Mrekulli apo një ilaç serioz, e vërteta është se kurat shpesh të pafuqishme për të shëruar kancerin kushtojë miliona.

Të këtë vallë një konspiracion?. Sidoqoftë, qëndron fakti që Halit Braho është një i vdekur i gjallë mes nesh.

Top Channel