Karburantet, hiqen katër licenca

16/03/2011 18:25

Ministria e Ekonomisë njoftoi se ka hequr licensën për katër shoqëri karburantesh pasi kanë abuzuar duke shitur në treg naftë bruto në kundërshtim me ligjin.

Vendimi, sipas ministrisë, është marrë pas kontrolleve në terren të Inspektoriatit Qëndror Teknik, i cili ka konstatuar shkelje flagrante nga katër shoqëritë, “Erkoci”, “Dhima” “Omegaz Energy” dhe “Edi Company”.

Përmes një njoftimi për shtyp ministria bën të ditur se ka pezulluar përkohësisht veprimtarinë edhe për 7 shoqëri të tjera që tregtojnë karburant me shumicë, tek të cilat janë konstatuar shkelje më të lehta nga inspektoriati.

Sipas ministrisë, aksioni për kontrollet ndaj shoqërive të karburanteve ka ardhur pas disa shqetësime të mbërritura pranë këtij institucioni.

Këto vendime përkojnë me kohën kur prokuroria po heton skandalin e kontrabandës së naftës “vergine”, ku deri më tani janë arrestuar 13 persona, mes të cilëve biznesmenë të njohur të karburanteve, por edhe punonjës të administratës tatimore dhe asaj doganore.

Top Channel