Shqipja e alfabeteve të koduara

15/03/2011 19:30

Është diçka e zakonshme midis të rinjve që ata të krijojnë një gjuhë të tyre të posaçme, në gjendje që t’a deshifrojnë vetëm ata.

Këto alfabete të reja dhe kode gjuhësore u vendosën në qendër të emisionit të pasdites në Top Channel, i cili vizitoi nxënësit e Liceut Muzikor të Tiranës.

”Ne kemi pothuajse dy vjet që flasim me njëra-tjetrën ndryshe, në mënyrë që mos të na kuptojnë të tjerët. Kur kam ardhur në fillim në shkollë flisja me f, por askush nuk më kuptonte. Më vonë kur kuptova që edhe Kamela fliste kështu filluam t’a praktikonim shumë në shkollë dhe në shtëpi”, tregojnë dy gjimnaziste, Kejti dhe Kamela.

Megjithatë, ato nuk janë të vetmet që kanë mundur të realizojnë këtë mënyrë të folure, pasi breza të të tërë të rinjsh e kanë praktikuar përpara tyre.

Enea, një tjetër nxënës i kësaj shkolle, në fillim e kishte të pamundur të kuptonte se çfarë bisedonin me gjuhën e tyre të çuditshme, shokët dhe shoqet e tij. Më pas, edhe ai u bë pjesë e “konspiracionit”.

“Kur kam ardhur në fillim në lice nuk dija të flisja si shokët e mi dhe më është dashur pothuajse 2-3 javë për të mësuar. Qëllimi kryesor është që të tjerët të mos na kuptojnë kur ne themi sekretet tona me njëri-tjetrin”.

Notat muzikore apo pentagrami janë simbole të një bote që në vetvete është sa e vështirë aq edhe magjepëse. E ndoshta, është pikërisht gjuha artistike ajo që ka nxitur tek këta të rinj dëshirën për të shkuar më tej, me mësimin e një alfabeti të tyrin personal, i cili nuk bën pjesë në asnjë gjuhë të shkruar të botës.  

“Ky është alfabeti im dhe që mund të deshifrohet vetëm nga tre shoqet e mia. Në të ardhmen dua të vazhdoj t’a ruaj si kujtim ose edhe për të rikujtuar kohërat e gjimnazit dhe shoqërinë e këtyre viteve”, thotë Kejti.

Mënyrat për t’u bërë të pakuptueshëm, të padeshifrueshëm dhe pothuajse të huaj për njerëzit që i rrethojnë, janë një prirje e zakonshme për të rinjtë thonë specialistët. Disa prej të rinjve, kanë krijuar një prirje të veçantë për të folur mbrapsht.

Ajo që kërkohet është kujtesa e fortë, zhdërvjelltësia gjuhësore, shkathtësia dhe durimi. “Më pëlqen të flas mbrapsht sepse përbën një risi dhe diçka që është akoma dhe më e vështirë për t’u kuptuar”, thotë Bani, një tjetër gjimnazist.

Shqipja konspirative dhe versionet e saj të shumta, mund të shndërrohen edhe në temë debatesh në studio ku merren e rimerren ide që lindin në kronika si këto. Deri atëherë, të rinjtë tanë, do të vazhdojnë të perfeksionojnë gjuhët dhe alfabetet e tyre personale.

Top Channel