Atlantida zbulohet në Spanjë

15/03/2011 18:45

Një grup kërkuesish ndërkombëtare bëri të ditur se ka identifikuar vendin ku ndodhej dikur qyteti legjendë i Atlantidës, në një zonë kënetorë në Spanjën jug-perëndimore.

Paul Bauman, gjeofizikant kanadez, së bashku me kolegët e institutit “Worley Parsons” realizoi disa kërkime nëntokësore nëpërmjet sondash, në kuadrin e një hetimi të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rezultatet duket se konfirmojnë ekzistencën e qytetit, për të cilin shkroi për herë të parë Platoni, i cili foli për një mbretëri mitike, të gëlltitur nga deti.

Deri më sot, shumë kërkime të tjera ishin kryer, pa arritur në asnjë rezultat. Tentativa e fundit për të zbuluar qytetin e zhytur në ujë u krye nga fizikanti gjerman Rainer Kuhne, i cili zbuloi disa karakteristika jonormale, në fotografitë e një sateliti në një zonë kënetore pranë lumit Guadalkivir në Spanjë, pranë qytetit të Kadizit.

Ndonëse nuk ka ende prova të pakundërshtueshme për këtë zbulim, disa ekspedita kanë arritur të gjejnë në shtratin e kënetës disa objekte me të vërtetë të rralla antike.

Grupi i punës i ngritur nga Bauman ndërhyri nëpërmjet një radari, në gjendje të depërtonte në tokë dhe me një pajisje të dytë, e cila nëpërmjet një analize kimike në distancë, është në gjendje të lokalizojë objektet e zhytura të ndërtuara nga njeriu.

Përveç disa objekteve të rralla antike, zbuluesit kanadezë arritën të zbulonin edhe një furrë gjigante antike për pjekjen e bukës, e groposur në sedimentet e kënetës. Furra me përmasa të tilla janë gjetur më parë vetëm në disa prej qyteteve më të mëdha të antikitetit.

Top Channel