Dëmtohet fabrika e patates

12/03/2011 19:20

Një fabrikë e re për përpunimin e prodhimit të patates në zonën e Kukësit, është ndërtuar prej kohësh nuk ka funksionuar asnjë ditë si e tillë.

Makineritë e blera për këtë fabrikë po dëmtohen dukshëm dhe një pjesë e tyre kanë rënë preh e grabitjes në mungesë të sigurisë.

Ndërtesa ka pësuar dëmtime në portat hyrëse nga erozioni, erat e forta si dhe nga dora e hajdutëve të cilët kanë dëmtuar portat hyrëse, por edhe pjesë të makinerive.

Në pranverën e vitit 2008 kryeministri Berisha inaguroi ndërtimin e kësaj fabrikë dhe u duke se tashmë problemi i kalbjes së patates së trevës së Kukës kishte marrë fund.

Por situata vazhdon të jetë e njëjtë si më parë. Duket se fati i kësaj magazine tashmë është në duar të atyre që tregtojnë skrap duke shkatërruar një ndër veprat më të rëndësishme ekonomike të rajonit të Kukësit, për mungesë të stafit ruajtës dhe mirëmbajtes.

Mos hapja e fabrikës erdhi nga mosvendosja e paisjeve në dhomat frigoriferike si dhe për mungesë të stafit menaxhues.

Fabrika e patates në Kukës ka një kapacitet ruajtes dhe përpunues prej mëse 5 mijë tonësh dhe është llogaritur të furnizojë disa qytete të Shqipërisë dhe një pjesë të Kosovës.

Kjo vepër u ndërtua me një fond prej afro 450 mijë dollarë si dhe u pajis me një makineri.

Kultura e patates zë 40 përqind të gjithë prodhimit bujqësor të Kukësit.

Vënia në punë e kësaj fabrike do të ndikonte edhe në uljen e varfërisë së madhe të banorëve.

Top Channel