Çlirohet tregu i gazit

12/03/2011 08:20

Pas dy muajsh ndërprerje të furnizimit të tregut me gaz, “Petrolifera”, terminali i hidrokarbureve që ndodhet në Vlorë, ka njoftuar dje se ka nisur punën për ngarkimin dhe shkarkimin e lëndëve djegëse.

Ndërprerja e punës në “Petrolifera” reduktoi ofertën e gazit në treg, duke ndikuar më pas në rritjen e çmimit.

Terminali nuk pranonte të vendoste kasa fiskale, ashtu siç kishte vepruar Romano-Port, në Durrës, me argumentin se nuk shiste, por ofronte shërbim.

Kundërshtia nga ana e kompanisë solli përplasjen me Tatimet, të cilat, së bashku me degën e doganës në Vlorë ndaluan shkarkimin e gazit dhe naftës në rast se shoqëria nuk vendoste kasa fiskale.

Lajmi për zhbllokimin e situatës u dha në fillim nga portali “karburant.com”, dhe më pas nga administrata tatimore.

Mësohet se një vendim i Këshillit të Ministrave, i marrë në mbledhjen e fundit, të mërkurën e kësaj jave, bëri të mundur dhe nisjen e punës.

Gazeta “Shqip” mëson se VKM-ja autorizon “Petroliferën” të vendosë kasa fiskale, si dhe rregullon procedurën që duhet të ndjekin shoqëritë e mëdha dhe magazinat doganore lidhur me instalimin e pajisjeve.

Top Channel