Qeveria, 110 milionë USD borxh “Bechtel”

11/03/2011 08:05

Qeveria shqiptare nuk ka pasur detyrime vetëm ndaj firmave shqiptare të ndërtimit, por edhe ndaj kompanisë më të madhe të huaj, e cila zbatoi projektin e rrugës Rrëshen-Kalimash.

Mësohet se kompania amerikane, “Bechtel” ka punuar “veresie” gjatë vitit 2010, me premtimin se paratë do t’i merrte shumë shpejt.

Në tabelat e monitorimit të buxhetit për Ministrinë e Transporteve dhe Punëve Publike, mësohet se detyrimi ndaj kompanisë së huaj për vitin 2010 ishte rreth 110 milionë dollarë.

Shuma u krijua nga disa punime shtesë të ndërmarra nga firma për shkak të shembjes së njërit tunel dhe plotësimin e autostradës me të gjithë elementët e sigurisë.

Po Ministria e Financave, në formë habie sqaron se detyrimet janë paguar me kohë, të paktën që në korrik të vitit 2010, kur u miratua buxheti shtesë.

Ajo çfarë ka mbetur pa u likuiduar është fondi i parashikuar në buxhetin e këtij viti, rreth 100 milionë dollarë, i cili po shlyhet me këste.

Me sa mësohet, edhe pse rruga ka përfunduar me kohë, sërish buxheti i shtetit po furnizon me para firmën ndërtuese, e cila brenda një viti (korrik 2010-qershor 2011) do të marrë në total të paktën 200 milionë dollarë.

Nëse për “Bechtel”-in lajmet duken pozitive, nuk mund të thuash të njëjtën gjë për firmat shqiptare që presin në dyert e degëve të Thesarit për të marrë paratë që u takojnë me vite.

Shoqata e Ndërtuesve thotë se janë rreth 150 milionë dollarë detyrime, kurse Ministria e Transporteve dhe Financave e mohojnë në mënyrë kategorike një pretendim të tillë.

Top Channel