Stilist apo rrobaqepës, dilema shqiptare

10/03/2011 19:30

Atelie apo një punishte e thjeshtë, një model i qepur posaçërisht apo veshje të gatshme. Në ditët që jetojmë, zanati i atyre që merren me botën e modës është i dyzuar, konflikt që u raportua sot nga emisioni i pasdites në Top Channel.

Historia e dizenjuese të veshjeve në Europë nis shumë më parë, me dizenjuesit që përcaktojnë si fillesë mesin e shekullit të XIV, si periudhën kur stili në veshje nisi të ndryshonte e të sofistikohej.

Dëshira e një pamje të rregullt dhe sa më të bukur estetikisht, bën që shpenzimet në veshje të jenë ndër kryesoret për shumë njerëz, ndërsa vazhdimisht hapen atelie të reja, ku shpesh herë mungon edhe firma e stilistit.

”Karakteri dhe përditshmëria e një njeriu ka të bëjë shumë. Unë nuk mund të stilizoj për askënd nëse më parë nuk njoh karakterin e tij, mëyrën si punon e si vishet.

Të jesh stilist do të thotë që të kesh markën dhe prerjen tënde të copës, diçka është për momentin është shumë e vështirë në Shqipëri. Ndodh që njerëzit të vijnë me një fotografi në dorë dhe të tregojnë se çfarë duan.

Në këtë rast, stilisti nuk bën më punën e stilistit, por thjesht të modeluesit dhe të rrobaqebësit”, thotë një stilieste.

Midis stilistëve dhe rrobaqepësve ka diferenca. “Nuk ka ndonjë diferëncë të madhe në punë. Volumi është i njëjtë, lloji i punës gjithashtu. Ajo që ndryshon është që stilisti nuk punon vetë, por ka një punëtor”, deklaron një rrobaqepëse.

”Nga ana ime, unë bëj skicimin, stilimin dhe kontrollin e fundit, në mënyrë që klienti të mbetet i kënaqur. Puna është tërësisht e njëjta, vetëm se stilisti është një rrobaqepës me famë, ndërsa ne nuk jemi të famshëm”.

Duke iu kundërpërgjigjur fjalës së rrobaqepëses, stilistja Mirela Mezini hyn më në detaje të punës së saj.

”Qepja e veshjes lidhet me faktin se ku klienti dëshiron ta përdorë atë. Një veshje për punë, ndryshon nga një mbrëmje apo një veshje spektakli.

Sigurisht, çmimi i veshjeve ndryshon edhe nga materjali me të cilin do të bëhet, pasi klienti mund të kërkojë edhe një veshje me diamantë, e cila do të kushtonte një djall e gjysmë.

Nga ana tjetër, mund të bësh edhe një veshje shumë të mirë me materjal të dobët dhe këtë e dallojnë vetëm stilistët apo ata që merren me këtë punë”.

Stilimi për njerëz të veçantë është një tendencë e re në Shqipëri dhe e rëndësishme në profesion është ruajtja e privacisë e atyre që ia lejojnë vetes të paguajnë një stil të personalizuar veshje.

Njëra nga vajzat e punësara në një prej këtyre atelieve të modës tregoi përditshmërinë e punës së saj.

”Kam pak kohë që kam nisur punë tek atelieja e Mirelës dhe merrem me procesin e përtharjes”, dëshmoi e reja. “Pasi shoh një veshje në skicë e pres. Ky proces nuk zgjat shumë, edhe pse është e qartë që varet nga detajet e modelit.

Pasi unë përfundoj procesin tim, ia dërgoj copën rrobaqepëses, e cila vazhdon me procesin e qepjes”.

Duke kaluar nga këndvështrimi i klientit, për ta gjëja më e rëndësishme është stilimi. Për një fustan matureje apo për një ballo është e rëndësishme për vajzat që të jenë të veshura në mënyrën më të këndshme të mundshme.

”Zgjedh të shkoj tek një stilist, pasi ai është më profesionist dhe mund të më japë zgjedhje më të mira”, thotë një kliente. “Idetë e tua, bashkuar me ato të stilistit janë në gjendje të prodhojnë gjëra me të vërtetë të bukura”.

Megjithatë, ka edhe nga ata që mendojnë se nuk ka stilistë të mirëfilltë në Shqipëri, kështu që zgjedhin të blejnë modelet e gatshme.

Top Channel