Slim, njeriu më i pasur në botë

10/03/2011 11:15

Carlos Slim është sërish në krye të klasifikimit të ‘Forbes’ si njeriu më i pasur i botës. 

Manjati meksikan i telefonisë celulare, me pasurinë e tij prej 74 miliardë dollarësh, e ka shtyrë sërish në vend të dytë themeluesin e Microsoftit, Bill Gates me 56 miliardë dollarët e tij.

Më shumë se 200 vetë iu bashkuan këtë vit listës së pasanikëve që pavarësisht krizës ekonomike botërore, ka mbërritur numrin rekord të 1.210 personave. Klasifikimi përfshin tashmë 6 miliarderë të lidhur me FB, duke llogaritur këtu edhe krijuesit e tij, Mark Zuckerberg dhe Sean Parker.

“Patëm disa surpriza këtë herë. Njëra prej tyre ishte Carlos Slim, jo pse u rendit i pari, se ashtu ishte edhe vjet, por për shtimin e jashtëzakonshëm të pasurisë se vet, me 20 miliardë dollarë brenda vitit. Pastaj, ishte dhe gjashtëshja e FB. Në Shtetet e Bashkuara të paktën, për nga fitimet, rrjeti social ka qenë tmerrësisht dinamik”, u shpreh Steve Forbes, president dhe kryeredaktor i ‘Forbes’.
 
Po si është shpërndarë pasuria nëpër botë.

Harta e ‘Forbes’ tregon se progresin më të madh e kanë pasur Brazili, Rusia, India dhe Kina. Amerikës i duhet të dorëzohet përballë rivalëve të vjetër rusë përsa i takon pasanikëve në metropole: sipas revistës, Moska ka 79 miliarderë ndërsa Nju Jorku 58.

Sa për Kinën, ajo bie në sy sidomos për numrin e njerëzve që kanë dyfishuar miliardat e tyre. Ndërsa Berluskoni, politikani me 9 jetë, siç e quan ‘Forbes’, nuk ka mundur të hyjë as në 30-shen e parë të klasifikimit.

Mbase festat luksoze e dhuratat e shtrenjta që bën pa kufi, e kanë varfëruar disi Kavaljerin.

Top Channel