Rritja e karburanteve dhe euros

10/03/2011 08:15

Ekonomia shqiptare po ndien gjithnjë e më shumë rreziqet e shtrenjtimit të karburanteve në vend dhe forcimin e valutës europiane.

Fillimi i vitit nuk ka qenë i mbarë për konsumatorët shqiptarë, si për drejtuesit e automjeteve, ashtu edhe për individët që kanë marrë kredia apo që kanë raporte me shërbime të ndryshme në euro. Të dyja elementet kanë pësuar një rritje të ndjeshme, efektet e të cilës mund jenë tepër negative në një të ardhme të afërt për ekonominë.

Duke u ndalur te karburantet, çmimi i tyre ka pësuar një rritje me të paktën rreth 20 për qind në krahasim me një vit më parë. Aktualisht, një litër benzinë po shitet mbi 170 lekë, kurse nafta mbetet pas me një diferencë prej 2-3 lekësh. Importuesit e karburanteve e drejtojnë përgjegjësinë për te tregjet e huaja, bursat, aty ku nafta e kuotuar me fuçi ka pësuar rritje, me të paktën 40 dollarë në raport me një vit më parë. Në tregjet e huaja nafta e bursës amerikane po shitet me rreth 105 dollarë për fuçi, kurse ajo e bursës së Londrës me mbi 115 dollarë, nivele këtë rekord që i afrohen kufirit të gushtit 2008.
 
Ndërkaq, autoritetet shqiptare janë duke u përpjekur të marrin masat e nevojshme për të shmangur spekulimet e mundshme nga ana e tregtarëve të pakicës, të cilët shfrytëzojnë koniunkturën e tregjeve, duke mbajtur një normë të padrejtë fitimi. Në fakt, tregu i naftës prej kohësh funksion pa rregulla të qarta, kurse shoqata e hidrokarbureve ka kërkuar nga Ministria e Ekonomisë që të merren masat. Në tregun tonë funksionin rreth 1200 pika dhe është e pamundur nga autoritetet që të monitorohen që të gjitha paralelisht.

Sa i takon valutës europiane, euro, në tregun vendas po mban nën presion lekun. Fillimi i vitit nuk ka qenë i mbarë për monedhën tonë kombëtare. Në zyrat e këmbimit valutor, një euro dje u shit për 140.8 lekë, normë kjo tepër e lartë, gati sa rekordi i arritur 7 vjet më parë. Në fakt, euroja pësoi një rritje tepër të madhe dy javë më parë, duke kapërcyer kufirin e 141 lekëve. Ekspertë të Bankës së Shqipërisë gjykojnë se treguesit aktualë të euros janë momentale dhe se gjithçka do të kalojë.

Një rritje e këtyre dy “mallrave” do të thotë shtrenjtim i produkteve dhe shërbimeve për konsumatorët shqiptare, tjetër minus ky që i shtohet fluksit të çmimeve të larta në ekonominë tonë.

Top Channel