Braçe: Po manipulohen materialet zgjedhore

10/03/2011 12:45

Deputeti Erion Braçe ka denoncuar në Kuvendin e Shqipërisë, një “tentativë për fshehjen e vjedhjes së votave të 28 qershorit”, nëpërmjet manipulimit të materialeve zgjedhore që po bëhet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Ai ka theksuar se për tre muaj, pas djegies së kutive të votimit, dokumentet zgjedhore nuk kanë shkuar në arkivën e shtetit, por mbahen në zyrat e KQZ-së dhe përpunohen, sipas deputetit të PS-së.

“Prej tre muajsh që prej hapjes së kutive, asnjë dokument nuk ka përfunduar në arkivën e shtetit, kanë tre muaj në përpunim dhe një pjesë e tyre ishin në zyrën e kryetarit të KQZ”, është shprehur Braçe.

“Po punohen jashtë vëmendjes së medias, publikut, të interesuarve. Tre muaj që përpiqen të fshehin krimin elektoral të 28 qershorit dhe po përgatiten të vjedhin zgjedhjet e 8 majit. Zgjedhjet e 8 majit nuk mund të jenë të lira dhe të ndershme nëse do të jetë kjo KQZ dhe ai kryetar i KQZ-së”, theksoi Braçe.

Top Channel