OSBE, raport paraprak për zgjedhjet

09/03/2011 19:35

Një mision vëzhgues i OSBE ishte në Shqipëri në datat 17 dhe 21 janar për të hartuar një raport paraprak në lidhje me përgatitjen e zgjedhjeve për pushtetin vendor më 8 maj.

Misioni OSBE/ODIHR vërejti se mjedisi politik në Shqipëri është shumë i polarizuar dhe me një retorikë të ashpër e sulme personale mes liderëve politikë.

Në ditën e fundit të misionit të tyre, vëzhguesit kanë ndjekur edhe protestën e opozitës më 21 janar, e cila u kthye e dhunshme dhe për pasojë pati katër të vrarë dhe shumë të plagosur.

Sipas raportit, pjesa më e madhe e retorikës vazhdon të përqendrohet në rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009 dhe në cështjet e korrupsionit.

Gjatë kohës së pranisë së vëzhguesve janë bërë edhe deklarata që aludonin mundësinë që jo të gjitha partitë të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme.

Janë vërejtur edhe probleme në funksionimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për shkak se anëtarët e opozitës nuk kanë marrë pjesë në mbledhjet e tij dhe pa patur probleme me praktikat dhe udhëzimet që duhet të bashkënënshkruhen nga kryetari dhe nënkryetari, marrëdhëniet mes të cilëve janë pushuar.

Vëzhguesit vërejnë se procedurat e numërimit të votave nuk kanë ndryshuar që nga viti 2009, pavarësisht nga rekomandimet e bëra nga OSBE/ODIHR.

Partive u është lënë ende mundësia për të zëvendësuar anëtarët e tyre në komsione zgjedhore në cdo moment, duke përfshirë edhe ditën e zgjedhjeve.

Në lidhje me hartimin e listave të zgjedhësve, vëzhguesit thonë se Ministria e Brendshme i kërkoi pushtetit lokal verifikimin e gjithë votuesve mbi 100 vjec, por pavarësisht këtyre përpjekjeve, thuhet se vëzhguesit e OSBE/ODIHR kanë marrë shumë shqetësime nga bashkëbiseduesit në lidhje me saktësinë e listave zgjedhore. Ndërkohë, njoftohet se të paktën 12 emra janë identifikuar si të dubluar.

Raporti thekson se debatet për cështjen e kartave të identitetit të periudhës së zjedhjeve të vitit 2009 nuk po përmenden më dhe raportohet se janë shpërndarë 2.538.000 dokumente identifikimi.

Vëzhguesit kanë dalë në konkluzionin se gratë janë të pakpërfaqësuara në pushtetin vendor, pavarësisht detyrimit për përfaqësim në nivel 30 për qind, vetëm 9 prej 384 të zgjedhurve lokalë janë femra.

Misioni i vëzhguesve sugjeron që për zgjedhjet e 8 majit duhet të krijohet një ekip prej 30 vëzhguesisht afatgjatë për të ndjekur periudhën e fushatës elektorale dhe 400 vëzhgues afatshkurtër të cilët duhet të qendrojnë disa ditë për shkak se nuk respektohen afatet e Kodit Zgjedhor për numërimin e votave. Vëzhguesit duhet të qendrojnë më gjatë për të ndjekur të gjithë procesin.

Top Channel