KLSH: Levan-Vlorë, zvarritja dëmton buxhetin

09/03/2011 08:00

Rruga Levan (Fier)-Vlorë parashikon t’i shkaktojë buxhetit të shtetit kosto shtesë, të paparashikuara më parë, si pasojë e mungesës së koordinimit të Ministrisë së Transporteve dhe Drejtorisë së Rrugëve.

Një ndër akset kryesore të vendit vijon të mbetet e bllokuar dhe të mos marrë zgjidhje, pavarësisht se me taksat që paguajnë shqiptarët firmat private janë duke u paguar rregullisht.

Gazeta “Shqip” zbulon një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i hartuar më 2010-n, lidhur me ecurinë e projektit 60 milionë eurosh të rrugës 25 km Levan-Vlorë.

Në raport jepen me detaje të gjitha shkaqet që kanë çuar në vonesën e përfundimit të rrugës, që duhet të ishte kryer në qershor të 2010-s, por që ende edhe sot vijon të mbetet në gjendje kantieri, duke rrezikuar sërish një sezon stresues pushimesh në jug të vendit.

KLSH-ja thekson se shtyrja e afateve ka ardhur si pasojë e problemeve me shpronësimet dhe për këtë fakt mban përgjegjësi ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, i cili ende pa zgjidhur problemin me pronësinë mori përsipër nisjen e punimeve në kundërshtim me ligjin.

“Në bazë të marrëveshjes së kredisë, huamarrësi (qeveria shqiptare) duhet të sigurojë dhe të marrë të gjitha lejet përkatëse për ndërtim, si dhe të sigurojë të drejtën e tokës para fillimit të çdo punimi. Nga kontrolli u konstatua se këto leje jo vetëm që nuk janë siguruar para fillimit të punimeve, po mossigurimi i tyre është bërë një ndër pengesat kryesore për ecurinë e ngadaltë të punimeve”, thuhet në raport.

Një tjetër shkelje e zbuluar nga KLSH-ja lidhet me ndryshimin e fondeve, ku një pjesë shkuan për mbikëqyrjen dhe shpronësimet, kur në një kontratë, 1 milion euro ishin destinuar për studimin e fizibilitetit.

Faktor tjetër për vonesa në përfundimin e kontratës së zbatimit ka ardhur për shkak të punës së dobët të firmës zbatuese.

“Edhe pse ndërtimi i kësaj rruge kërkon makineri të shumta, si dhe një staf të mirorganizuar, vërejmë se mungojnë këto dy veçori të cilat kanë qenë thelbësore që në kërkesat e tenderit. Pothuajse në të gjithë gjatësinë e rrugës nuk punohej, shfaqej mungesë mobilizimi nga ana e kontraktorit, duke treguar papërgjegjshmëri për realizimin e projektit brenda afateve kohore të miratuara”, thuhet në raport. KLSH-ja thekson se mosrespektimi i afateve kohore të miratuara nga firma zbatuese do të rëndojë koston e projektit, për të cilën duhet të mbajë përgjegjësi firma zbatuese e projektit “Alpine Mayreder Bau GmbH”.

Një tjetër shkelje e projektit lidhet me afatin e punimeve. Nga kontrolli rezultoi se ka mospërputhje në kohëzgjatjen e kontratave, pasi kontrata e punimeve në segmentin rrugor Levan-Vlorë është parashikuar të zgjasë për 2.5 vjet (qershor 2010), ndërsa kontrata e mbikëqyrjes së punimeve të projektit është parashikuar të zgjasë për 24 muaj (nëntor 2009).

Diferenca prej 6 muajsh pritet t’i kushtojë buxhetit të shtetit qindra milionë lekë dëme, pasi për supervizimin do të kërkohet një tjetër shpenzim. Duhet theksuar se kontrolli i KLSH-së është bërë për periudhën deri në fund të 2009-s, e ndërsa flasim jemi në mars 2011 dhe rruga ende nuk është mbyllur.

Në përfundim, KLSH-ja thotë se “ndryshimet e shumta të projektit, për shkak të gabimeve të tij kanë rritur ndjeshëm koston e rrugës, rritja e së cilës është një faktor që çon në zgjatjen e afatit të përfundimit të kontratës”.

Top Channel