“Bota e kufjeve” në Shqipëri

09/03/2011 19:15

Një pjesë e madhe e të rinjve shqiptarë kanë një mik të zakonshëm në ecjet e tyre, kufjet.

Ky aksesor i vogël, thuajse i padallueshëm, është shndërruar në një mjet të domosdoshëm të ditëve tona. Emisioni i pasdites në Top Channel trajtoi pikërisht “epokën e kufjeve”.

Ashtu si shumë moshatarë të saj, Onida është një prej të apasionuarave të dëgjimit të muzikës me kufje. “Nuk e përdor me orë të caktuara, por sa herë që jam duke shkuar për në shkollë apo për në ndonjë destinacion tjetër”, dëshmoi Onida.

”Në shtëpi nuk kam nevojë që t’i mbaj, sepse jam kam magnetofon ose kompiuter, kështu që jam në gjendje të dëgjoj direkt prej tyre muzikën time të preferuar”.

Ndonëse dëgjimi i muzikës së lartë është i dëmshëm për shëndetin, shumë të rinj nuk i kushtojnë rëndësi këtij detaji. Sipas vajzës, dëgjimi i muzikës me kufje është edhe një mënyrë origjinale për të mos shqetësuar të tjerët, ndërkohë që plotëson dëshirat e tua.

”Kam dëgjuar që ka pasoja negative, por për mua nuk ka shumë rëndësi, pasi më pëlqen të dëgjoj muzikën me volum të lartë”, theksoi Onida.

Kufjet nuk përdoren gjithmonë për të dëgjuar muzikë, pasi shpesh herë ato janë edhe zgjatim i celularit.

Ka nga ata që justifikojnë këtë mënyrë komunikimi me faktin që ato shërbejnë për të reduktuar deri në gjysmën e rezatimeve magnetike, që një celular dërgon në tru gjatë kohës së komunikimit.

Frida është njëra prej tyre që përdor kufjet edhe për të shtyrë ndonjë prej orëve të mërzitshme të mësimit në shkollë.

”Kur kam ndonjë orë të lirë ose kur duhet të flas domosdoshmërisht me ndonjë shoqe, përdor kufjet fshehurazi gjatë orës së mësimit”, thotë adoleshentja.

Nga ana e saj, teknologjia ndryshon çdo ditë dhe së bashku me të, edhe kufjet ndryshojnë. Të rinjtë duken më të interesuarit në këtë fushë.

Megi, e cila përdor kufjet 4-5 orë në ditë, thotë se është vazhdimisht e interesuar për modelet më të reja të kufjeve.

”Më pëlqejnë ato kufje që kanë ngjyra të forta dhe bien në sy, por në kohët e fundit nëpër dyqane ka edhe shumë të tjera interesante, me forma të reja apo gurë përsipër”, dëshmoi Megi.

Në një situatë ku kushdo shkëputet nga realiteti nëpërmjet vendosjes së kufjeve, janë mjekët ata që paralajmërojnë për pasojat.

Doktori Përparim Neziraj paralajmëroi se të gjithë ata që dëgjojnë me orët të zgjatura me kufjet e tyre, mund të kenë pasoja të rrezikshme për shëndetin.

”Pasoja më e zakonshme është ajo e dëmtimit në kanalin e veshit, sepse shpesh herë, kufjet vendosen pa kujdes në vesh”, deklaroi Neziraj.

”Një tjetër përfundim, ndonëse i diskutueshëm për mungesën e provave të qarta, është ajo që lidhet me sistemin nervor të veshëve, të cilët bezdisen dhe dëmtohen prej zhurmave.

Është e qartë që këto zhurma më pas kategorizohen, por është e qartë që dëgjimi me kufje për vete përbën një zhurmë”.

Përveç këtyre pasojave të rikuperueshme, dëmtimi i sjellë nga kufjet mund të shkaktojë edhe dëmtime të pakthyeshme, deri në humbjen e jetës, si pasojë e mungesës së vëmendjes në qarkullim.

Top Channel