Zgjedhjet, “ultimatumi” i ambasadorëve

08/03/2011 19:45

Ndërkombëtarët kërkojnë impenjimin e klasës politike për realizimin e zgjedhjeve të 8 majit me standardet më të larta që janë parë ndonjëherë në historinë e proçeseve elektorale në Shqipëri.

Ambasadori amerikan ajo gjermane dhe ai i OSBE-së kanë patur qendrim të prerë në këtë pikë duke paralajmëruar se ky do të jetë një test i cili do të vendosë të ardhmen e vendit në lidhje me Bashkimin Europian.

“Zgjedhjet janë të rëndësishme për Shqipërinë, janë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe populli shqiptar i meriton që të ketë zgjedhje për të bërë. Është detyrim dhe përgjegjësi e partive që të mund t’i japin, popullit shqiptar një mundësi zgjedhjeje. Është detyrim i qeverisë të bashkëpunojë me KQZ dhe që të sigurojë që këto zgjedhje të jenë më të mirat që janë organizuar ndonjëherë në vend”, është shprehur ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu.

“Do të ketë një mision vëzhgimi të zgjedhjeve nga OSBE-ODIHR, besoj do të ketë edhe vëzhgues nga vende të tjera. Por kjo nuk e ndryshon karakterin e këtyre zgjedhjeve, e përsërisë edhe njëherë që janë zgjedhjet e shqiptarëve dhe qoftë KQZ dhe çdo palë e përfshirë duhet të përgatitet për të zhvilluar zgjedhje në mënyrën e duhur. Diçka që duhet bërë nga partitë është ofrimi i alternativave që populli të ketë mundësi zgjedhje, kështu që është e rëndësishme që njerëzit të kenë mundësinë për të zgjedhur”, theksoi ambasadori i OSBE-së, Wollfarth.

“Jemi të së njëjtës bindjeje që këto zgjedhje duhet të jenë më të mirat që ka parë Shqipëria deri tani. Këto zgjedhje do të vëzhgohen nga afër nga vëzhgues nga ata që kanë qenë vezhgues në zgjedhjet e shkuara, por edhe nga vëzhgues në nivel politik. Ky do të jetë një testim për të ardhmen e Shqipërisë në BE, prandaj këto zgjedhje janë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë, por edhe për qytetarët e këtij vendi. Është e rëndësishme që qytetarët të kenë një zgjedhje dhe kjo zgjedhje të respektohet”, deklaroi ambasadori gjerman Hollkemper.

Top Channel