PS, jo mbështetje Bollanos

08/03/2011 20:15

Partia Socialiste ka vendosur të mos mbështesë kandidaturën e Vasil Bollanos për një mandat të tretë si kryetar i Bashkisë Himarë.

Burime brenda selise rozë theksojnë se ky vendim ka maturuar jo vetëm si pasojë e qendrimeve të vazhdueshme antikombëtare të Bollanos, por edhe si rezultat i shkeljeve të verifikuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në këtë bashki.

Në raportin me 89 faqe të KLSH përmenden jo pak, por 239 herë fjalët në kundërshtim me ligjin, dëm ekonomik, përfitim i padrejtë fondesh, shkelje proçedurash dhe favorizim i padrejtë.

Sipas këtij kontrolli, tenderat deri tek ai i varrezave të reja të qytetit të Himarës kanë rezultuar me shkelje ashtu si lejet e ndërtimit të pasuara nga shkelje të shumta të ligjeve në fuqi.

Në këtë kontrroll në Bashkinë Himare janë gjetur tendera të fituar nga kompani të caktuara të cilat kanë përfituar më shumë para për projektimin e rrugës sesa duhen realisht për ndërtimin e saj.

KLSH ka mundur të gjejë çudira të shumta të tilla në Bashkinë Himarë ku duket se shkeljet kanë pasuar njera-tjetrën.

Mes tyre KLSH ka vënë theksin edhe tek mungesa e arsimit përkatës nga ana e drejtuesve të kësaj bashkie.

Kontrolli i Lartë i Shtetit e akuzon Vasil Bollanon për abuzime që kapin vlerën e 230 milionë lekëve të vjetra.

Edhe pse është një bashki e kategorisë së tretë për nga numri i banorëve kjo nuk e ka penguar bashkinë e drejtuar prej dy mandatesh nga Vasil Bollano të renditet në vendet e para në listen e abuzuesve përsa i përket prokurimeve publike.

Pas këtij vendimi të Partisë Socialiste tashmë Bollano mund të gjejë strehë tek demokratët kur dihet se raportet e tij me kryeministrin Berisha janë dukur mjaft të forta gjatë gjithë daljeve të shefit të qeverisë në jug të vendit.

Mbetet për t’u parë se çdo të ndodhte deri në 8 maj, por e sigurtë është se Bollano në konkurimet e vetme të vërteta në Himarë në 2000 dhe 2001 ka dalë humbës.

E ndërkohë në këto zgjedhje veç të tjerash do ta ketë të vështirë të fshihet pas petkut të himariotëve kur më shumë se kushdo duhet t’u japë shpjegime këtë herë për abuzimet me fondet e tyre.

Top Channel