Të rinjtë, rritet përdorimi i alkoolit

07/03/2011 16:30

Shqiptarët njihen si popull pijedashës, por shifrat duken alarmante kur llogaritet se 2% e popullsisë është e alkolizuar dhe kërkon trajtim mjekësor, ndërkohë që 5% e popullsisë riskon të futet në këtë kategori.

Ajo cfarë e bën akoma më shqetësuese situatën është konsumi i alkoolit nga mosha nën 18 vjec, nxënës shkollash, si dhe shtimi i numrit të femrave si konsumatore të rregullta.

Nisur nga dëmet që shkakton alkooli në shëndetin e njeriut, Ministria e Shëndetësisë ka lancuar strategjinë për parandalimin dhe minimizimin e dëmeve të alkoolit për periudhën 2011-2015, si dhe planin e veprimit. Përvec sensiblizimit nëpër shkolla do të nisin edhe aksionet nëpër lokale.

“Dëmet nga alkooli janë një nga tre shkaktarët më të mëdhenj tek shëndeti njerëzor. Nuk do ketë lëshime për lokalet që nuk ngurrojnë ta shesin, apo që lejojnë hyrjen e të rinjve nën moshën e duhur. Ky aksion shumëplanësh është i gjithëanshëm dhe një betejë e jona në të mirë të shëndetit”, ka deklaruar Petrit Vasili, ministër i Shëndetësisë.

21% e popullsisë konsumojnë alkool mbi normat e lejuara. Një numër i konsiderueshëm i krimeve të regjistruara nga policia janë kryer nën efektin e alkoolit.

Ndaj, përvec masave kuruese të trajtimit, si dhe masave të tjera administrative, në strategjinë e luftës kundër alkoolit parashikohet rritja e akcizës për pijet alkolike, cka do të cojë në rritjen e cmimit të tyre.

Top Channel