Spahiu: Greqia po kushtëzon integrimin

07/03/2011 22:00

Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu ka deklaruar se me procesin e regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, Greqia po përpiqet të rrisë sovranitetin mbi shtetin shqiptar dhe të kushtëzojë të ardhmen e tij.

Duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel, Spahiu ka paralajmëruar se një rrezik i kanoset edhe Kosovës, e cila është nën mbikëqyrjen e rreptë të Serbisë.

“Ato që synohet me qëndrimet anti-shqiptare janë që procesin e integrimit ta kalojnë, Kosova përmes Beogradit dhe Shqipëria përmes Athinës”, ka deklaruar Spahiu.

Sipas tij, përmes regjistrimit mbi baza fetare dhe etnike, Greqia do të rrisë përmes minoritetit prezencën e saj në institucionet shqiptare, duke filluar nga Parlamenti.

“Regjistrimi i popullsisë në mënyrë të manipuluar, që bie ndesh me Kushtetutën dhe me të drejtën ndërkombëtare, do të nxjerrë një numër më të vogël shqiptarësh në Shqipëri dhe pakica më të mëdha, për të cilat do të kërkohet një përfaqësim më i lartë”, ka theksuar Spahiu.

“Pra, do të kemi një sovranitet të kushtëzuar, sic po ndodh në Kosovë me qeverisjen me serbët, dhe kjo është me pasoja shumë të rënda”, ka nënvizuar ai.

Nënkryetari i KLD-së ka shtuar më tej se ky është një proces i vjetër, që ka filluar me ndryshimin e emrave të shqiptarëve dhe që ka vijuar me cështjen varrezave, me pensionet greke dhe me ndryshimin e fesë.

Top Channel