Sanksione të forta kush nuk regjistrohet

07/03/2011 08:00

Bizneset që kapen duke ushtruar aktivitet pa qenë të regjistruar në QKR do të kenë ndëshkim akoma e më të fortë, nga sa parashikon ligji aktual.

Duke marrë shkas nga rekomandimet e BE-së, për rritjen e kontrollit tatimor, Ministria e Financave ka hartuar një projektligj që rrit sanksionet ndaj subjekteve që konstatohen të paregjistruar në QKR.

Një prej këtyre masave të fortave është sekuestrimi i të gjithë mallit që ka në gjendje biznesi, në momentin që kapet i paregjistruar.

Në ligjin aktual, tatimori nuk merrte asnjë masë tjetër ndëshkuese, përveçse e detyronte subjektin që të regjistrohej brenda 15 ditëve nga konstatimi, kurse me variantin e ri, jo vetëm që i mbyllet aktiviteti për një periudhë 6-mujore, por edhe i sekuestrohet i gjithë malli, i cili më pas shkon në magazinat e shtetit.

Ky ndryshim prek nenin 41 të ligjit “Për procedurat tatimore”, kurse sanksionet përfshihen në nenin 121.

Tjetër ndryshim po aq i fortë prek kësaj here profesionet e lira, që rregullohen me një ligj të veçantë.

Për herë të parë tatimet do të kenë të drejtë të ndëshkojnë këta subjekte, ku futen ekonomistët, mjekët, noterët etj., sa i takon heqjes së licencës.

“Në rast se personi ushtron aktivitet në fushën e shërbimeve, përveçse konfiskimit të materialeve, administrata tatimore u propozon strukturave kompetente pezullimin e lejes, licencës apo të autorizimit për ushtrim aktiviteti për një periudhë 6-mujore”, thuhet në njërën nga pikat e draftit, i cili pret miratimin e qeverisë.

Një ndër rekomandimet e rëndësishme në progres-raportin e KE-së për vitin 2010, në vlerësimin e kriterit ekonomik, ka qenë rreth ekonomisë informale. “Në përgjithësi, institucionet e dobëta dhe një sektor i lartë informal kanë rezultuar nga një bazë tatimore e ngushtë dhe e kufizuar”, thuhet në progres-raport.

Neni ekzistues i ligjit, (neni 41), përcakton një periudhë dyjavore për t’u lënë kohë subjekteve që të regjistrohen, dhe nëse nuk regjistrohen brenda kësaj periudhe u mbyllet aktiviteti për 6 muaj. Sipas Ministrisë së Financave, kjo masë nuk ka dhënë efektivitetin e duhur për disa arsye.

“Personat që janë të paregjistruar në administratën tatimore, japin identitet të rremë gjatë kontrolleve. Tjetër fakt është se, në momentin e kontrollit nga organet tatimore, personat kanë ambiente me qira dhe pas konstatimit nga kontrolli kalojnë në aktivitet tjetër të ndryshëm dhe për arsye se nuk kanë gjurmë në administratën tatimore nuk mund të evidentohen”, shpjegon ministria në relacionin që shoqëron draftin për regjistrimin e bizneseve në QKR.

Për sa më sipër është hequr afati kohor prej 15 ditësh për regjistrimin e personave të paregjistruar nga momenti i identifikimit.

Top Channel