Rekordi i rumunes, gjyshe 23 vjeç

07/03/2011 17:55

Një rumune është përfshirë në librin Guinnes të rekordeve, pasi në moshën 23-vjeçare ajo është gjyshja më e re në botë, zbuluan sot mediat e vendit ballkanik.

Nënë e dy fëmijëve, Rifca Stanescu, lindi fëmijën e saj të parë kur ishte vetëm 12 vjeç.

Ndonëse ajo iu lut fëmijëve që të mos ndiqnin shembullin e saj, vajza e saj Maria mbeti shtatzanë 10 vjeç dhe lindi kur sapo kishte mbushur 11-vjetorin.

Një histori e tillë nuk është normale as për vetë fshatërat primitivë rumunë apo popullsinë e madhe rome në këtë shtet.

Megjithatë, Rifca u detyrua të martohej 11-vjeç me 13-vjeçarin Ionel Stanescu, i cili që në atë moshë kujdesej për dyqanin e babait që shiste bizhuteri.

Nëse nuk do të pranonte këtë martesë, asaj do t’i duhej t’i nënshtrohej vullnetit të babait të saj, që kishte gati një martesë në një fshat të largët me vendlindjen.

Vetë Rifca u lind nga nëna e saj kur kjo e fundit ishte 17 vjeç, prandaj edhe stërgjyshja 40-vjeçare rrezikon të futet së bashku me të bijën në librin e rekordeve.

Ajo dëshironte që vajza e saj Maria të përfundonte të paktën 8-vjeçaren, por ajo u lidh me një djalë të fshatit dhe lindi një djalë të quajtur Ion.

”Jam shumë e lumtur për nipin, por do të kisha dëshiruar më shumë për jetën e Marias”, deklaroi Rifca për mediat rumune.

Top Channel