Një hotel për kafshë në Shqipëri

07/03/2011 19:00

Hoteli i parë i kafshëve në Shqipëri, si një risi në vendin tonë, u soll në vëmendjen e emisionit të pasdites në Top Channel.

“Pet life” ndodhet në periferi të Tiranës dhe u ofron qenve dhe maceve një ambient ku mund të qendrojnë, ndërsa të zotët e tyre u duhet të udhëtojnë, të shkojnë për pushime apo të largohen diku ku s’mund të marrin me vete kafshën e tyre.

Suitat ku qentë strehohen u përshtaten kushteve të tyre të zakonshme të jetesës, me dhomat që janë jashtë ose në ambiente të brendshme, në varësi të ambientit ku edhe kafshët shtëpiake jetojnë me pronarët e tyre.

Hoteli ka 32 dhoma për qen, 20 për mace dhe së shpejti pritet të zgjerojë kapacitetin e tij. Admir Graçi, drejtor teknik i hotelit, tregon se ideja për të hapur këtë sipërmarrje erdhi si pasojë e kërkesave të shumta të atyre pronarëve që s’kishin ku të linin diku kafshën e tyre, gjatë një periudhë kur nuk mund të kujdesesshin për to.

”Ne i ofrojmë një kafshe gjithçka që ka nevojë, duke nisur nga ushqimi, shoqërimi dhe mirëmbajtja. Gjithashtu, veterinerët ndjekin vazhdimisht qentë dhe macet, për të konstatuar gjendjen e tyre shëndetësore”, deklaron Graçi.

Jo çdo kafshë mund të bëhet kliente e hotelit. Për të respektuar standardet e hotelit, ka kritere të mirëpërcaktuara. Kriteri bazë është vaksinimi. Më pas, në varësi të përmasave të kafshës dhe shërbimit që kërkon pronari i saj përcaktohet çmimi.  

Valbona është një kliente e veçantë në këtë drejtim. Ajo ka sjellë këtu Lakin, një qen rruge të sëmurë, të cilin e gjeti disa ditë më parë dhe s’kishte mundësi t’a mbante në shtëpi.

”E dija që ekzistonte opsioni i këtij hoteli dhe mendova që të merrja qenin, sepse edhe nëse s’do t’i gjeja një strehim tjetër, do të mund t’a dërgoja këtu”, thotë Valbona.

Ajo do të paguajë për Lakin deri sa t’i gjejë një sistemim të perherëshëm, ndërsa në rastin e saj çmimi është më i ulët, pasi trajtohet si rast bamirësie.

”Jemi duke menduar për të vendosur një çmim fiks, ndërsa për momentin, një natë në hotelin tonë kushton 800 lekë për kafshët e vogla (macet) dhe 1 000 lekë për kafshet e mëdha (qentë)”, shton drejtori teknik.

”Është e qartë që çmimi do të përcaktohet edhe nga kërkesat e pronarëve, por këtu po flasim për çmimet mesatare”.

Hoteli funksionon prej një muaji dhe ende s’ka përfunduar së ndërtuari i gjithi. Një pjesë e madhe e godinës, ajo që mbetet për t’u përfunduar, do të shndërrohet së shpejti në një spital të madh veterinarie.

Aktualisht, në hotel janë sistemuar rreth 25 klientë qen, ndërkohë që po bëhen gati dhomat e maceve e madje të shpendëve.

”Për momentin, duke qenë se struktura është ende në ndërtim, hotelin do t’a konsideroja me tre yje, por shumë shpejt do të arrijmë të pesë yjet”, premton Graçi.

Hoteli siguron shërbim 24 orësh me një numër personeli prej 10 personash, 5 prej të cilëve janë veterinerë.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel